Vendosni fjalën kyçe....

BE: Për Brexit duhet i takon Britanisë të vendosë


I takon Parlamentit britanik të marrë vendime të rëndësishme këtë javë për kushtet e Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, tha të hënën zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Në një konferencë për media në Bruksel, ai tha se kryetari i Komisionit, Jean-Claude Juncker, ka biseduar në telefon me kryeministren britanike, Theresa May, porse nuk janë caktuar takime të reja në nivel politik.

Komentet vijnë një ditë para se Parlamenti britanik të votojë për herë të dytë marrëveshjen që May ka arritur me BE-në mbi kushtet e Brexit-it.

Parlamenti britanik, përfshirë deputetë të partisë së May, e kanë refuzuar këtë marrëveshje në janar.

Kundërshtimet kanë të bëjnë me ndërtimin e një barriere fizike midis Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Mbështetësit e Brexit-it janë kundër kësaj barriere, edhe pse BE e ka paraqitur si politikë që ofron siguri.

Schinas tha se Komisioni e ka bërë të qartë se barriera, nëse përdoret, do të jetë e përkohshme.

Zyrtarë të BE-së kanë thënë se marrëveshja që tashmë është arritur, nuk mund të rinegociohet.

Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të këtij viti.

Vendimi pason një referendum të vitit 2016, në të cilin qytetarët britanikë kanë votuar pro Brexit-it.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *