Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Unazës: Është momenti i duhur, nesër para Parlamentit të rrëzojmë Ramën


Janë bërë 120 ditë që banorët e Unazës së Re protestojnë dhe ata nuk ndalen deri në largimin e qeverisë Rama.

Mbrëmjen e sotme, në vendin ku zhvillohet gjithmonë protesta e tyre, banorët thanë se do ta vazhdojnë këtë betejë që kanë nisur deri në rrëzimin e qeverisë, që sipas tyre është shurdhe ndaj kërkesave që qytetarët kanë dhe nuk ka mbajtur asnjë premtim.

“Vazhdojmë protestojmë sepse kemi një qeveri shurdhe dhe për këtë jemi të bindur jo vetëm ne, por të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Një kryeministër të papërgjegjshëm që vetëm di të flasë për ëndrrat e shqiptarëve, por ky njeri nuk diti të mbajë asnjë premtim në jetën e tij, prveçse të vjedhë dhe të grabitë shqiptarët. Ne kemi treguar se jemi të vendosur dhe për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë se Unaza e Re e nisi këtë betejë dhe do ta fitojë me rrëzimin e kësaj qeverie.”, tha një prej banorëve.

Një tjetër banor tha se të gjithë do të merrnin pjesë në protestën e nesërme të opozitës, ndërsa u bëri thirrje edhe banorëve që preken nga zgjatimi i Bulevardit, banorëve të Shkozës, Paskuqanit e të gjithë shqiptarëve që të ngrihen të protestojnë nesër përpara Parlamentit, pasi sipas tij ishte koha e duhur dhe mënyra e vetme për të rrëzuar Edi Ramën.

“Është kënaqësi kur shoh gjithë këta njerëz, por nesër dua akoma më shumë. Nuk ka justifikime për nesër, banorët e Unazës së Re me sa më shumë pjesëmarrje. Kam një thirrje për banorët e zgjatimit të Bulevardit. Është dita e duhur, është momenti i duhur, është ora e duhur për të larguar këtë qeveri. Kam një thirrje për banorët e Shkozës, për gjithë banorët e Paskuqanit, Fushës së Aviacionit, gjithë shqiptarët, nesër mblidhemi në orën 10 para Parlamentit. Të largojmë këtë qeveri kriminale për ne, banorët e Unazës së Re dhe për gjithë shqiptarët. Mos pritni ditë tjetër! Është dita e duhur, është mënyra e duhur. Është e vetmja mënyrë për t’i larguar këta, me protesta.”, tha banori.

Në këtë protestë ishte i pranishëm si zakonisht ish-deputeti Klevis Balliu, i cili denoncoi përpjekjet e qeverisë për rekrutimin e oficerëve të ushtrisë në rradhët e policisë, vetëm për të ndaluar protestat e opozitës. Balliu i ka bërë thirrje policisë që të mos bëhet pjesë e aksionit partiak të Ramës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *