Vendosni fjalën kyçe....

Projektet PPP nuk kanë lidhje me rrjetin ndërlidhës me Europën


Europa synon që të përfundojë dhe modernizojë rrugët e transportit deri në vitin 2030, nëpërmjet Programit Trans-Europian të Rrjetit të Transporti (TEN-T).

Programi TEN-T u krijua në vitin 2006 nga Komisioni Europian për të mbështetur ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit në të gjithë Bashkimin Europian, por tashmë është shtrirë edhe në Ballkan, që prej vitit 2015. Ai mundëson përkrahje financiare për realizimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së transportit – në përputhje me synimin për rritjen e konkurrencës europiane, krijimin e vendeve të punës dhe ndërveprimin. Projektet e Programit TEN-T mbulojnë të gjitha mënyrat e transportit – ajri, hekurudha, rrugët, rrugët ujore, si dhe logjistika dhe sistemet e transportit inteligjent.

Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende në Bashkimin Europian, që prej angazhimit të Samitit të Berlinit të vitit 2014, dhe më pas në një takim të ministrave përkatës në Riga në vitin 2015, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia janë pjesë e axhendës së ndërlidhjes europiane.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë përfshirë si një zgjerim indikativ në rrjetin transeuropian të transportit (TEN-T) duke përfshirë rrjetin bazë, korridoret e rrjetit bazë dhe projektet prioritare të paracaktuara për investime në infrastrukturë. Zgjerimi i korridoreve të rrjetit thelbësor TEN-T në Ballkanin Perëndimor siguron një integrim më të ngushtë me BE-në, si dhe bazën për shfrytëzimin e investimeve në infrastrukturë, siç është mbështetja e BE-së nëpërmjet Mekanizimit Investues të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe Mekanizimit të Ndërlidhjes së Europës (CEF).

Violeta Bulc, komisionerja për transportin në Komisionin Europian, pohoi në një takim me mediat në kuadrin e takimit TEN-T në Lubjanë se ka marrë konfirmim se në Serbi do të krijohet zyra qendrore, që do të menaxhojë projektet e Ballkanit Perëndimor. “Për Ballkanin kemi miratuar disa projekte, në kuadër të Samitit të Triestes, i zhvilluar në 2017-n, ku përfituesit kryesorë kanë qenë Bosnja, Serbia dhe Maqedonia”.

Shqipëria përfshihet në rrjetin europian TEN-T, përmes autostradave Adriatiko – Joniane (që në pjesën më të madhe në territorin shqiptar përputhet me aksin rrugor Veri – Jug) dhe që është i Korridorit të Mesdheut, që fillon nga Spanja (Almeria) dhe kalon nëpër 6 vende Europiane (Spanjë, Francë, Itali, Slloveni, Kroaci dhe Hungari) në një gjatësi 6,000 km. Autostrada Adriatiko – Joniane lidh korridorin TEN-T Mesdhetar, që kalon në bregdetin kroat, me rrugët përgjatë bregdetit malazez dhe përshkon Shqipërinë nga Muriqani në Lezhë-Tiranë-Fier-Tepelenë-Gjirokastër dhe përfundon në Kakavijë.

Të vetmet akse që janë konsideruar me rëndësi për lidhjet me rrjetin europian të transportit, të cilat do të ishin në dobi të vendit për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave me partnerë tregtarë të zhvilluar, ishin Korridori 8 dhe së fundmi autostrada joniane Veri-Jug, që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, në një autostradë kryesisht të kategorisë A, që i shërben edhe zhvillimit të turizmit në këto shtete.

Autostrada Adriatiko – Joniane ishte e vetmja që u vlerësua me fizibilitet edhe nga Nisma e Berlinit 2014 për Ballkanin Perëndimor, ku BE u angazhua për financimin e saj. Por historia shqiptare e kësaj rruge ndërlikohet, donatorët kanë financuar një studim fizibiliteti për pjesën shqiptare, i cili është në fazë pune, ndërsa qeveria, nga ana tjetër, ka nënshkruar tre kontrata me Partneritet Publik-Privat, që synojnë ndërtimin e 83 kilometrave, me një kosto 159 miliardë lekë (1.2 miliardë euro) të kësaj autostrade ende pa dalë rezultati i fizibilitetit.

Një kompani shqiptare është nënkontraktuar për studimin e fizibilitetit të autostradës Adriatiko – Joniane. Burime konfidenciale pohuan se deri më tani, rezultojnë tre vlera që mund të merren në konsideratë për përfundimin e autostradës ku, më e ulëta është 2.6 miliardë euro, një variant tjetër me 2.9 miliardë euro dhe një i tretë ku përfshihen edhe PPP-të, kalon shifrën 3.6 miliardë eurove.

Studimi i fizibilitetit ende nuk ka përfunduar, por qeveria shqiptare ka vendosur të ndërtojë nëpërmjet kontratave me Partneritet Publik – Privat tre akse të Korridorit Jonian, si Milot-Balldren, Thumanë-Kashar dhe Kashar–Rrogozhinë, me të paktën 1.2 miliardë euro teksa ekspertët që janë të përfshirë në studim pohojnë se ndërtimi i akseve në fjalë nuk kushton në realitet më shumë se 600 milionë euro me çmimet aktuale në manualet e ndërtimit.

Qeveria shqiptare po ndërton këto akse nga propozimet të pakërkuara të kompanive, të cilat përveç kostos së punimeve, përfshijnë edhe interesat bankare dhe normat e fitimit. Një ekspert i njohur i rrugëve, i cili pranoi të prononcohet në kushtet e anonimatit, tha se aksi strategjik që duhej të ndërtohej i pari në vend është Thumanë – Rrogozhinë, por ndër vite, qeveritë shqiptare nuk e morën në konsideratë ndërtimin e tij. Një kompani kroate i ka propozuar qeverisë shqiptare në vitin 2013 që ta ndërtonte këtë aks, kundrejt vlerës 480 milionë euro, por oferta përkoi me zgjedhjet e përgjithshme dhe diskutimet për projektin u shtynë.

Projekte të tjera me ndikim

Ka dhe projekte të tjera me ndikim rajonal dhe që do të shërbejnë si zgjatimet për t’u lidhur me rajonin dhe Europën, si rehabilitimi i linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor; rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Shkodër – Hani i Hotit (në kufi me Malin e Zi), me gjatësi 120 kilometra dhe rehabilitimi i 12 stacioneve hekurudhore të pasagjerit dhe mallrave; rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Pogradec – Lin dhe ndërtimi i linjës së re Lin – kufiri me Maqedoninë (korridori VIII hekurudhor); mundësia e lidhjes së rrjetit tonë hekurudhor, me korridorin hekurudhor TEN-T Orient/East Med në Greqi nëpërmjet Kapshticës dhe Follorinës, përkatësisht në linjën hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec – Kapshticë – Follorinë Selanik /Athinë (Pireu) që lidh Portin e Durrësit në Detin Adriatik me Portin e Selanikut dhe të Pireut në Athinë, të cilat janë nga portet më të mëdha të mallrave në Mesdhe, etj.

 

VINI RE: Ky shkrim ka pronësi intelektuale “Monitor”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *