Vendosni fjalën kyçe....

Kalojnë Vettingun, konfirmohen në detyrë prokurorët Adnan Kosova dhe Eloida Goxhi


Paraditen e kësaj të enjteje, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokuroren dhe drejtuesen në prokurorinë e Beratit Eloida Goxhin si dhe prokurorin në Prokurorinë e Përgjithshme Adnan Kosova.

Për kriterin e pasurisë, ILDKPKI, ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi i Kosovës është i saktë dhe në përputhje me ligjin.

Vetë KPK kreu një hetim të thelluar në lidhje me pasurinë, ku rezulton se Kosova ka deklaruar pasuritë: apartament 93 metra katror blerë për 19.6 mijë dollarë amerikanë në vitin 1998.

Ka një makinë në vlerën e 11 mijë eurove, ndërsa si burim të ardhurash për apartamentin ka vendosur të ardhurat nga paga e punës si të tij pedagog, dhe shitja e një tjetër apartamenti në Korçë. Prokurorit iu kalua barra e provës, për mungesën e të ardhurave në vitin 1998. Subjekti ka kërkuar edhe marrjen e disa dëshmive në lidhje më këtë problem.

DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se, prokurori ka plotësuar saktë formularim dhe nuk ka informacione se ka lidhje me përsona të inkriminuar, duke konstatuar përshtatshmërinë në detyrë.

Lidhur me deklarimin e pasurisë për Goxhin, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, ka depozituar një raport pozitiv për subjektin. Komisioni e ka bazuar hetimin në gjithë deklarimet e pasurisë së Goxhit, prej nga është konstatuar se ajo kishte kryer investim në bono thesari në vlerën e 2.2 milionë lekëve.

Deklarimi i prokurores se burimi i investimit në bono thesari ishte paga e saj, ka rezultuar të jetë i vërtetë.

Sipas KPK-së, gjithë kursimet e Goxhit ndër vite kapin vlerën e 2.7 milionë lekëve dhe kanë si burim pagën e saj si prokurore e së fundmi si drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.

Ndërkohë, ka rezultuar i vërtetë edhe deklarimi tjetër se ajo jeton me prindërit në një apartament në Tiranë me sipërfaqe 96 m2, i fituar nga privatizimi në vitin 1993 po nga prindërit e saj.