Kreu i opozitës Lulzim Basha mbrëmjen e sotme ndodhet në protestën e banorëve të “Unazës së Re”. Basha u shpreh se ky është një projekt korruptiv dhe Erion Veliaj është një fundërrinë.
“Ky projekt inxhinierik është i përshtatshëm për një autostradë dhe jo për një rrugë brenda qytetit. Tenderi është korruptiv, prej 40 milionë eurosh. Del një fundërrinë dhe shprehet me shprehje raciste. Plehrat e Sharrës janë më të pastra se shpirti i tij. Nuk merrem fare me atë njeri që ka shpirtin e zi. Unë merrem me qytetarët. Ky projekt është pa leje bashkiake.
Shpronësimi dhe dëmshpërblimi duhet të bëhet me vlerën e tregut. Këtij projekti PD i vë dy herë vijën e kuqe. Partia Demokratike dhe opozita do të jetë gjithmonë në krahë të banorëve. Po të kishin prokurori, prokuroria sot duhet të kishte hapur hetimet për çdo zyrtar që janë pjesë e kësaj. Për fat të keq ne sot nuk kemi drejtësi”, u shpreh Basha.
Banorët e Astirit për më shumë se 10 ditësh janë duke protestuar pasi nuk janë dakort që banesat e tyre të prishen pa u dëmshpërblyer ata nga shteti.