Vendosni fjalën kyçe....

Dita e tetë e protestës, banorët e Astirit s’dorëzohen as pas shkuljes së “Shqiponjës”


Banorët e Astirit kanë dalë sërish në protesta për të tetën ditë rradhazi. Ata kanë bllokuar rrugën që lidh Kombinatin me “Sheshin Shqiponja”.

Protestuesit  kanë dalë në rrugë që në orën 10:00 për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për të shembur banesat e tyre, deri në marrjen e një dëmshpërblimi që i kompeson 100%.

Përplasja me kameramanin

Mirëpo në këtë protestë nuk kanë munguar tensionet me drejtuesit e automjeteve që kërkonin të kalonin. Banorët thonë se kanë marrë urdhër të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat.

Në një moment, nisi një përplasje mes një kameramani dhe një drejtuesi automjeti. I dëmtuar nga ngjarja ka mbetur kameramani.

Mësohet se një person që kishte mbetur i bllokuar në rrugë me makinë për shkak të protestës, ka dalë nga mjeti i irrituar dhe ka goditur në fytyrë me grusht dhe i ka dëmtuar kamerën operatorit, pasi ky i fundit ka qenë duke filmuar.

Operatori është dëmtuar në pjesën e syrit, ndërsa i është prishur edhe kamera me të cilën po filmonte.

Hiqet “Shqiponja”

 “Shqiponja” nga e cila mori emrin edhe sheshi në hyrje të Tiranës nuk është më në vendin e saj. Që nga mëngjesi i sotëm, duket se Bashkia ka nisur punën për projektin e “Unazës së Madhe”, duke injoruar protestët e banorëve të Astirit, të cilët kanë dalë çdo ditë në protesta.

Pjesa më e madhe e këtyre banorëve, nuk i kanë banesat të legalizuara edhe pse kanë aplikuar prej shumë vitesh dhe vetë kryeministri në fushatë u pati premtuar legalizim falas.

Duke mos i patur banesat të legalizuara, këta banorë rrezikojnë të mos marrin dëmshpërblim për shembjen e shtëpive që i kanë ndërtuar me paratë e shumë viteve punë.

Ata thonë se janë 600 familje që do të nxirren në rrugë, ndërsa i kërkojnë kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj t’u japin një zgjidhje.

Në protestën e djeshme, ata kanë përdorur thirrjen e famshme të Ramës: “Nuk ka bir ku*ve që na largon nga këtu, pasi ne i kemi paguar tokat dhe kemi paguar taksat në shtet”.

Qëndrimi i opozitës

Protestës i janë bashkuar edhe deputetë të Partisë Demokratike.  Flamur Noka, e ka konsideruar një gjenocid, atë që qeveria dhe bashkia po u bëjnë këtyre qytetarëve, duke i nxjerrë në rrugë.

Në një deklaratë për mediat, Noka ka shprehur mbështetjen e tij dhe të PD-së ndaj kauzës së banorëve të Astirit, ndërsa kërkon kompesimine  tyre.

“Opozita që ditën e parë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj në mbështetje të banorëve të Astirit, kërkesave të tyre legjitime dhe kundër vrprimit banditës të bashkisë.

Sot është dita e shtatë e protestës dhe çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër.

As nuk ka ardhur kush të bisedojë me ta, ato dëgjesat e kryetarit të bashkisë që i bën me stafin e tij, duhet t’i bëjë me banorët që po nxjerr në rrugë. Askush nuk është kundër projektit, por po nxirren në rrugë.

Askush s’ka ndërmend nga qeveria as t’i kompesojë këta. Kjo është një barbari, janë të gjithë dakord me projektin, le të bëhet por të vlerësohen, të kompesohen e të mos nxirren në rrugë. Është gjenocid ndaj këtyre banorëve.

Banorët kanë ngritur një komision nismëtar të protestës. PD është vetëm në mbështetje të kauzës së tyre.  Bashkia po i trajton ata si qen. Ne nuk mund ta pranojmë, kjo është ç’njerëzore.”, tha Noka.

Të pranishëm janë edhe Oriola Pampuri dhe Klevis Balliu.

Protestuesi në polici, deputetët e PD-së interesohen në Komisariat

Personi që sot mbante megafonin gjatë protestës së banorëve të Astirit, është shoqëruar nga policia.

Disa deputetë të Partisë Demokratike janë nisur për në Komisariatin 6, ku po mbahet i ndaluari.

U bënë tetë ditë që kur nisën protestat e banorëve të Astirit.

Deputetë të opozitës shkuan edhe dy ditë më parë të interesohen për banorët e ndaluar në komisariatin e Kombinatit, ku ishin 12 persona të shoqëruar, mes tyre edhe një grua shtatzënë. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *