
Një aksident rrugor është regjistruar në kryqëzimin e njohur si “Pushimi i Shoferit”, në autostradën Lushnjë–Fier, ku janë përplasur dy automjete.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i njërit prej mjeteve ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë nga ambulanca në Spitalin e Lushnjës, ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po dokumentojnë rrethanat e aksidentit dhe po punojnë për disiplinimin e trafikut, pasi në korsinë në drejtim të Fierit janë krijuar radhë automjetesh me gjatësi prej disa kilometrash.
Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i një automjeti tip Volkswagen ka hyrë në kryqëzim nga rruga dytësore që lidh zonën e “Pushimit të Shoferit” me Divjakën, ndërsa një minifurgon që po lëvizte në drejtim të Fierit nuk ka arritur të shmangë përplasjen.
Grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Kryqëzimi i “Pushimit të Shoferit” konsiderohet prej vitesh një nga pikat me risk të lartë në autostradën Lushnjë–Fier, ndërsa banorët dhe drejtuesit e mjeteve kanë kërkuar vazhdimisht përfundimin e mbikalimeve, të cilat kanë mbetur të papërfunduara që nga ndërtimi i këtij aksi rrugor.