
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar të mërkurën pasdite se do t’i ndërpresë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Kosovës, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
Në një mesazh drejtuar, siç ka thënë, anëtarësisë, votuesve dhe popullit të Kosovës, Abdixhiku ka theksuar se zhvillimet e fundit e detyrojnë të tërhiqet përkohësisht nga procesi i negociatave politike, shkruan Koha.
“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në rrethanat e krijuara nuk do të ishte serioze dhe as e përgjegjshme të negocionte në emër të LDK-së, përderisa mandati i tij për ta udhëhequr partinë është vënë në diskutim brenda vetë subjektit politik.
“Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme të negocioja në emër të LDK-së, pasi mandati im për të udhëhequr me të është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”, u shpreh ai.