
Ajo që duhej të ishte një ngarkesë bananesh nga Amerika Latine rezultoi të ishte një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në historinë e Spanjës. Në portin mesdhetar të Algeciras, policia spanjolle zbuloi 13 ton kokainë të fshehur në anije.
Operacioni, i zhvilluar në vjeshtën e vitit 2024, ishte në atë kohë sekuestrimi më i madh i kokainës në historinë e vendit. Hetimet që pasuan, sipas autoriteteve, zbuluan një rrjet ndërkombëtar të pastrimit të parave që shtrihej deri te themeluesit e një kompanie SPAC në Newport Beach të Kalifornisë, e cila vetëm vitin e kaluar mblodhi 200 milionë dollarë nga investitorët.
Sipas dokumenteve paraprake të përgatitura nga hetuesit në Madrid dhe të siguruara nga Bloomberg, çështja përfshin një trafikant të dyshuar droge, një zyrtar të lartë policie të akuzuar për korrupsion, lidhje me familjen mbretërore spanjolle, financierë me lidhje në Wall Street, një kompani fintech irlandeze që merrej me kriptoasete, prona luksoze në Dubai dhe disa institucione financiare offshore.
Të gjithë personat e përmendur janë marrë zyrtarisht në hetim nga autoritetet spanjolle, por deri më tani askush nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë vepër penale.
Në qendër të rrjetit, sipas hetuesve, ndodhet Ignacio Torán, i dyshuar si drejtuesi i organizatës kriminale. Ai përshkruhet si tifoz i Real Madridit dhe koleksionist orësh luksoze, ndërsa në një moment kishte planifikuar të investonte pasurinë e tij në futbollistë argjentinas.
Sipas hetimeve, për Torán punonte edhe Óscar Sánchez, i cili në kohën e sekuestrimit të kokainës drejtonte njësinë kombëtare të policisë spanjolle kundër pastrimit të parave. Ai dyshohet se përdorte pozicionin e tij për të ndihmuar trafikantët e drogës.
Gjatë kontrollit në banesën e Sánchez, policia gjeti rreth 20 milionë euro të fshehura brenda mureve të shtëpisë, sipas mediave spanjolle.
Torán dhe Sánchez ndodhen në paraburgim në Spanjë. Avokati i Torán refuzoi të komentojë, ndërsa mbrojtja e Sánchez nuk mohoi ekzistencën e shumës së parave, por kundërshtoi ligjshmërinë e provave të përdorura nga prokuroria, duke pretenduar se disa komunikime ishin siguruar pa autorizimin e nevojshëm gjyqësor.
Hetuesit pretendojnë se Torán kishte angazhuar edhe Francisco de Borbón, djalin e një duka dhe kushëri të largët të Mbretit Felipe VI të Spanjës, si edhe investitorin amerikan Ketan Seth, i cili banon në një rezidencë luksoze në Newport Beach të Kalifornisë.
Sipas autoriteteve, Seth dhe De Borbón ishin partnerë drejtues të kompanisë Alpha Trading, me bazë në Kaliforni, e cila dyshohet se kanalizonte paratë e drogës së Torán përmes llogarive offshore në një bankë në Panama.
Nuk dihet se si Seth dhe De Borbón u njohën, por ata themeluan Alpha Trading në vitin 2012, duke e prezantuar si një kompani lider në tregtinë dhe furnizimin me mallra, me zyra në Nju Jork, Madrid dhe Miami.
Seth kishte edhe aktivitete të tjera biznesi. Ai zotëronte disa pika të UPS në Nju Jork gjatë viteve 2010, por u përfshi në mosmarrëveshje me pronarët e ambienteve, të cilat përfunduan me vendime gjyqësore për pagesa të papaguara që tejkalonin 300 mijë dollarët.

Në vitin 2025, Seth dhe De Borbón krijuan Blue Acquisition Corp., një kompani SPAC që synonte investime në qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale. Kryetar i saj u emërua ish-gjenerali amerikan me katër yje Wesley Clark.
Kompania, e cila ka selinë në adresën e banesës së Seth në Newport Beach, mblodhi rreth 200 milionë dollarë përmes ofertës së saj publike fillestare në qershor të vitit të kaluar dhe nisi një marrëveshje për blerjen e një qendre të dhënash në Niagara Falls.
Banka investuese BTIG organizoi daljen në bursë, ndërsa ndër aksionerët më të mëdhenj të kompanisë figurojnë fondet e investimit Sona Asset Management dhe LMR Partners.
Blue Acquisition nuk përmendet si subjekt i hetimit dhe nuk akuzohet për ndonjë shkelje. Seth dha dorëheqjen nga kompania më 9 qershor, duke përmendur “arsye familjare”. Drejtori aktual i Blue, David Bauer, deklaroi se Seth nuk ka më asnjë lidhje me kompaninë, ndërsa De Borbón shërbeu si këshilltar i posaçëm deri në shkurt të këtij viti.
Matt Tuttle, drejtues i kompanisë Tuttle Capital Management, tha se kishte parë shumë situata të pazakonta në botën e SPAC-eve, por kjo ishte e para herë që një çështje e tillë lidhej me një rrjet të dyshuar të trafikut të drogës.
Seth është thirrur të dëshmojë në gjykatë. Përmes avokatëve ai kërkoi shtyrjen e seancës dhe tani pritet të paraqitet në shtator. Ai gjithashtu ka kërkuar heqjen e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij. Ai nuk iu përgjigj kërkesave për koment, ndërsa avokati i tij refuzoi të fliste.
De Borbón u arrestua në Spanjë, por më pas u lirua. Edhe avokati i tij nuk pranoi të komentojë.
Sipas profesoreshës së Universitetit të Oksfordit, Annette Idler, çështja është e rëndësishme jo vetëm për sasinë rekord të drogës së sekuestruar, por edhe për faktin se tregon mënyrën se si organizatat kriminale përdorin struktura ligjore, profesionistë financiarë, kompani logjistike dhe teknologji moderne për të fshehur fitimet e paligjshme.
Sekuestrimi në Algeciras pasoi një tjetër operacion në vitin 2021, kur u zbuluan 1.6 ton kokainë të fshehura mes importeve të frutave nga Amerika e Jugut. Autoritetet vlerësojnë se vlera e kombinuar e të dy ngarkesave tejkalon 350 milionë euro.
Më vonë, duke analizuar telefonin personal të Sánchez, hetuesit arritën në përfundimin se mes viteve 2020 dhe 2024 në Spanjë ishin futur rreth 58 ton kokainë, me një vlerë të mundshme prej rreth 3.5 miliardë dollarësh në tregun me pakicë.
Hetuesit besojnë se Torán kishte ngritur një rrjet kompanish në Spanjë dhe jashtë saj, shumica të regjistruara në emër të personave të tjerë. Në momentin e arrestimit ai kontrollonte dy grupe kompanish në Spanjë dhe po përgatitej të krijonte një të tretë.

Policia dyshon se përmes këtyre strukturave ai zotëronte prona të shumta në Dubai, përfshirë një vilë me vlerë rreth 10 milionë euro në kompleksin rezidencial W në Palm Jumeirah dhe prona të tjera me vlerë rreth 11 milionë euro. Në komunikimet e tij ai u referohej atyre si “shtëpitë e mia”.
Përveç kësaj, grupi zotëronte dy kompani offshore, përfshirë një në Panama me një llogari escrow në Atlas Bank. Edhe pse autoritetet nuk arritën të konfiskonin para apo kriptoasete, ata vlerësojnë se Torán zotëronte të paktën 10 milionë euro në Bitcoin në momentin e arrestimit.
Organizata përdorte si valuta tradicionale ashtu edhe kriptomonedha për të lëvizur fondet në mbarë botën. Sipas hetimeve, ajo përdorte Bitcoin, Tether dhe VXL Dollar.
Një rol të rëndësishëm në këtë skemë kishte edhe kompania irlandeze ET Fintech Europe Ltd., në pronësi të De Borbón dhe disa të dyshuarve të tjerë. Hetuesit pretendojnë se kompania kontrollohej drejtpërdrejt nga organizata kriminale.
Alina Burnard, aksionere dhe drejtoreshë e ET Fintech, mohoi çdo përfshirje në pastrim parash. Ajo deklaroi se kompania ishte krijuar për zhvillimin e një platforme bankare digjitale dhe se akuzat e autoriteteve spanjolle paraqesin në mënyrë të pasaktë aktivitetin e saj.
Hetimet identifikuan gjithashtu dy institucione në São Tomé dhe Príncipe që paraqiteshin në internet si banka, por nuk rezultonin të licencuara nga autoriteti financiar vendas. Sipas hetuesve, këto funksiononin si të ashtuquajturat “nested banks”, duke përdorur llogaritë e bankave të tjera për të fshehur identitetin e klientëve realë.
Në një mesazh të vitit 2023, një bashkëpunëtor i afërt i Torán dhe menaxheri i tij financiar shprehej se “gjithçka vjen nga ato banka” dhe më pas shpërndahej në vende të tjera.
Një element tjetër i skemës ishte hapja e një llogarie escrow në Atlas Bank në Panama. Sipas hetuesve, Alpha Trading, kompania e drejtuar nga Seth dhe De Borbón, shërbente si depozitare e kësaj llogarie dhe merrte pjesë në transfertat përmes një instrumenti financiar kompleks, i cili nuk identifikohet në dokumente.
Autoritetet spanjolle thonë se informacioni i marrë nga autoritetet panameze konfirmon ekzistencën e operacioneve të pastrimit të parave. Sipas tyre, e gjithë struktura ishte krijuar për të fshehur origjinën e fondeve, identitetin e përfituesit real dhe për t’u dhënë transaksioneve një pamje të ligjshme.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg