Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi nga Pogradeci se qeveria do të mbështesë sektorin e bujqësisë me 13.8 milionë euro, ndërsa njoftoi se janë drejt finalizimit procedurat për dëmshpërblimin e fermerëve të prekur nga përmbytjet.
Gjatë një takimi me fermerët, Salla bëri të ditur se, përveç grantit prej 10 mijë eurosh për të rinjtë, po vijojnë procedurat që fermerët të përfitojnë 10% kompensim për çdo faturë të shitjes.
“Ai që punon tokën vlerësohet drejtpërdrejt, pa procedura dhe pa asnjë burokraci, apo afate të tejzgjatura. Çdo gjashtë muaj, në korrik dhe dhjetor, fermerët do të depozitojnë dokumentacionin pranë Tatimeve dhe do të marrin 10%-shin në këmbim,” tha Salla.
Ministri njoftoi gjithashtu se janë përfunduar procedurat ligjore për trajtimin e dëmeve nga përmbytjet në disa qarqe, përfshirë Korçën, Maliqin dhe Pogradecin.
“Jemi në fazën përfundimtare dhe, së bashku me Emergjencat Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes, do të kalojmë në procedurën e dëmshpërblimit. Presim miratimin e një akti normativ për të mbështetur fermerët që janë prekur,” u shpreh ai.
Duke folur për dëmet e shkaktuara nga karkalecat dhe sëmundjet në kultura bujqësore, Salla tha se ministria ka nisur monitorimin me dronë dhe se ky proces do të zgjerohet në të gjithë vendin.
“Do të marrim edhe dronë të tjerë për të mbuluar të gjithë territorin, përfshirë Myzeqenë, Lushnjën dhe të gjithë qarkun e Fierit,” deklaroi ministri.
Gjatë takimit, Salla theksoi se interesi për skemat kombëtare të subvencioneve ka qenë i lartë, me një numër të konsiderueshëm aplikimesh edhe nga fermerët e Pogradecit.
