Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Kapacitetet ushtarake të Teheranit janë goditur rëndë, sonte pritet një tjetër operacion i madh



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbrojti të hënën sulmet amerikane ndaj Iranit, duke deklaruar se ato kanë dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Teheranit dhe paralajmëroi se një tjetër “sulm i madh” pritet të zhvillohet gjatë natës, përcjell Fox News.

Duke folur para gazetarëve, Trump hodhi poshtë krahasimet mes operacioneve aktuale dhe luftërave të gjata amerikane në të kaluarën.

“Ishim në Vietnam për 19 vjet. Këtu kemi qenë për katër muaj, kështu që mendoj se kemi bërë shumë,” tha ai, kur u pyet nëse sulmet e vazhdueshme ndaj Iranit po bëhen “normaliteti i ri” për amerikanët.

Presidenti amerikan deklaroi se forcat amerikane kanë “shkatërruar” flotën detare të Iranit, kapacitetet e tij ajrore, sistemet raketore dhe prodhimin e dronëve.

Sipas Trump, ndërhyrja ushtarake ishte e domosdoshme për të parandaluar Iranin që të sigurojë armë bërthamore.

“Nëse nuk do ta kishim bërë këtë, ata do të kishin pasur një armë bërthamore. Nëse do ta kishin pasur, Izraeli nuk do të ekzistonte më. Ndoshta as Lindja e Mesme nuk do të ishte më siç e njohim,” u shpreh ai.

Trump foli edhe për situatën në Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të kompensohen financiarisht për rolin e tyre në mbrojtjen e kësaj rruge strategjike detare.

“Dua të rimbursohemi, sepse po mbrojmë një pjesë shumë të pasur të botës,” deklaroi presidenti amerikan.

Ai akuzoi gjithashtu Iranin se ka zvarritur negociatat për dekada dhe tha se administrata e tij ka ndjekur një qasje më të ashpër se paraardhësit.

“Këtë kanë bërë për 47 vjet. Dallimi është se askush nuk ka negociuar si unë. Kjo duhej të ishte bërë nga Bushi, Obama, Bideni dhe presidentët para tyre,” përfundoi Trump.