
Ish-ministrja e Financave dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka kërkuar sqarime publike lidhur me aktin normativ që parashikon financimin me 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për organizimin e koncertit të artistit Kanye West.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Meksi thekson se Kuvendi duhet të ushtrojë rolin e tij kushtetues të kontrollit parlamentar, duke verifikuar nëse vendimi i Këshillit të Ministrave plotëson kushtet ligjore për përdorimin e fondit rezervë përmes një akti normativ.
Sipas saj, qytetarët meritojnë një shpjegim të qartë nëse në këtë rast janë përmbushur kriteret e “nevojës” dhe “urgjencës”, të cilat justifikojnë miratimin e një akti normativ dhe përdorimin e fondeve rezervë të shtetit.
Meksi nënvizon se transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i legjislacionit për administrimin e financave publike janë elementë thelbësorë të një qeverisjeje të përgjegjshme. Për këtë arsye, ajo kërkon që Kuvendi të shqyrtojë në mënyrë të plotë bazën ligjore të vendimmarrjes dhe përputhshmërinë e saj me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Ish-ministrja argumenton se publikimi i aktit normativ e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi arsyet që çuan në përdorimin e fondit rezervë për këtë qëllim, duke theksuar se çdo vendim që prek fondet publike duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të plotë.
Në përfundim të reagimit të saj, Meksi shprehet se një shqyrtim transparent, objektiv dhe i mbështetur në Kushtetutë është i domosdoshëm për të garantuar ligjshmërinë e vendimmarrjes, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve te institucionet.
Ajo thekson se në një shtet të së drejtës, përdorimi i parave publike duhet të jetë jo vetëm në përputhje me ligjin, por edhe i argumentuar, proporcional dhe i orientuar drejt interesit të përgjithshëm.
“Transparenca dhe respektimi i Kushtetutës: detyrim ndaj qytetarëve.
Nisur nga lajmet e publikuara në media dhe nga publikimi i aktit normativ lidhur me financimin e koncertit të artistit Kanye West me fondin rezervë të buxhetit të shtetit, konsideroj se është detyrim i Kuvendit të ushtrojë kontrollin e tij kushtetues dhe parlamentar mbi këtë vendimmarrje.
Qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse janë përmbushur kushtet e “nevojës” dhe “urgjencës” për nxjerrjen e këtij akti normativ, si dhe nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të administrimit të financave publike dhe kushte të domosdoshme për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet.
Kuvendi, si organi që ushtron kontrollin parlamentar dhe shqyrton/miraton aktet normative të Këshillit të Ministrave, ka përgjegjësinë të verifikojë nëse, në këtë rast, janë respektuar kërkesat kushtetuese dhe ligjore për nxjerrjen e aktit normativ, si edhe kriteret që rregullojnë përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit.
Publikimi i këtij akti e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të kësaj vendimmarrjeje, si dhe mbi arsyet që justifikojnë përdorimin e fondit rezervë.
Një shqyrtim i plotë, transparent dhe objektiv është thelbësor për të garantuar ligjshmërinë, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në administrimin e fondeve publike.
Në një shtet të së drejtës, çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.
Vetëm një shqyrtim serioz, transparent dhe të bazuar në Kushtetutë dhe ligj garanton se çdo vendimmarrje që prek fondet publike i shërben interesit të qytetarëve, forcon besimin te institucionet demokratike dhe mbron parimet e shtetit të së drejtës.” – shkruan Meksi.