Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar ndaj, sipas saj, presioneve dhe sulmeve të organizuara në rrjetet sociale, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i deputetes.
Përmes një postimi, Koçeku tha se prej disa ditësh po përballet me një valë komentesh dhe profilesh të rreme që i kërkojnë të largohet nga Parlamenti, ndërsa akuzoi struktura të organizuara pranë qeverisë për orkestrimin e këtyre sulmeve.
“Prej disa ditësh po përballem në rrjetet sociale me një ushtri virtuale patronazhistësh e profilesh të rreme që më kërkojnë me e lanë mandatin. Me e lanë mandatin e kam shumë të lehtë. Por nuk jam mësue me i hapë rrugë të keqes, që ka marrë edhe formën e këtyne mercenarëve virtualë, të organizuem prej komandantëve të tyne – funksionarë të këtij shteti, për me përbaltë e me denigrue veç pse kam zgjedhë pavarësinë e përfaqësimit në parlament.”
Koçeku pretendon se në rrjetet sociale qarkullojnë qindra mijëra profile të rreme dhe se ato përdoren për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë.
“Thuhet se janë diku 800 mijë profile të tilla që qarkullojnë. Bashkitë janë kthye në garnizone të këtyne mercenarëve dhe ushtrojnë presion të përditshëm përmes fjalës nëpër komente e postime. Kurrë nuk asht keqpërdorë fjala ma shumë në historinë e demokracisë së këtij vendi. Tash, në kohë proteste, vërehet mobilizimi total i tyne për me shkatërrue e me denigrue çdokend që i del kritik qeverisë.”
Deputetja theksoi se ishte e vetëdijshme për pasojat e qëndrimeve të saj publike, por shtoi se nuk do të zgjidhte heshtjen.
“E kam ditë se çmimi i të folunit lirshëm ka me qenë i naltë, por heshtja do kishte kushtue shumë ma tepër në këtë republikë që kërkon me i luftue qytetarët e vet me fantazma, hije patronazhistësh dhe profile false. Kjo nuk duhet me qenë republika e fallsitetit dhe e fantazmave online.”- shkruan Koçeku.
