Vendosni fjalën kyçe....

Auron Tare: Shqiptari ka ditur të fitojë beteja për të gjithë, por jo për veten



Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar për protestat që vijojnë prej 38 ditësh në Tiranë, duke bërë një paralelizëm mes zhvillimeve aktuale dhe disa episodeve historike ku, sipas tij, shqiptarët janë gjendur shpesh në përballje nën flamujt e të tjerëve.

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale me titullin “Beteja e Athinës”, Tare shprehet se protesta që ka hyrë në muajin e dytë mund të shënojë një ndryshim në mënyrën se si shqiptarët përballen me fatin e tyre politik dhe shoqëror.

“Shqiptari ka pasur një fat të çuditshëm. Ka ngritur perandori, ka mbajtur në këmbë mbretëri, ka udhëhequr kryengritje e revolucione, por kur vjen puna te vendi i vet, mbetet gjithnjë spektator”, shkruan historiani.

Sipas tij, shqiptarët kanë qenë shpesh pjesë e ngjarjeve të mëdha historike të kombeve të tjera, ndërsa kanë pasur vështirësi për të ndërtuar vetë historinë e tyre.

“Është mjeshtër për të bërë historinë e kombeve të tjera dhe nxënës i dobët kur duhet të shkruajë historinë e Shqipërisë. Ndoshta, e them me shpresë, kjo protestë do të sjellë një Shqipëri tjetër, ku shqiptari të mësojë më në fund të luftojë edhe për veten”, shprehet Tare.

Në shkrimin e tij, studiuesi sjell si shembull betejën e Athinës në vitin 1822, ku sipas tij, në dy kampet kundërshtare u përballën shqiptarë.

Ai përmend figurën e Jani Gura, i cili udhëhoqi forcat e lidhura me kryengritjen greke, dhe Omer Pashë Vrioni, i cili ishte në shërbim të Perandorisë Osmane dhe u dërgua për të shtypur kryengritjen.

“Në fushat e Athinës së lashtë nuk u ndeshën vetëm dy ushtri. U ndeshën dy shqiptarë, secili nën një flamur që nuk ishte i tiji. Njëri luftonte për Stambollin, tjetri për Athinën. Shqipëria nuk gjendej në asnjërin kamp”, shkruan Tare.

Historiani e cilëson këtë si një nga paradokset e historisë shqiptare, ku figura shqiptare kanë marrë role të rëndësishme në ngjarjet e vendeve të tjera, ndërsa Shqipëria nuk ka përfituar nga këto zhvillime.

“Ky është, ndoshta, mallkimi ynë më i madh. Shqiptari ka ditur të fitojë beteja për të gjithë, veçse nuk ka ditur t’i fitojë ato për veten”, përfundon ai.