Vendosni fjalën kyçe....

Afera “Partizani”/ Oketa mohon presionet ndaj Qirjazit, gjenerali: Më kërkoi të firmosja urgjent privatizimin


Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dëshmoi këtë të diel në GJKKO në procesin për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Gjatë dëshmisë, Oketa mohoi të ketë ushtruar presion ndaj ish-komandantit të Komandës së Mbështetjes, gjeneralit Vladimir Qirjazi, për të firmosur me urgjencë procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Në seancë, Oketa pranoi se kishte firmosur urdhrin për dorëzimin e pronës, por theksoi se bëhej fjalë për kthimin e saj te pronarët e ligjshëm dhe se prona nuk ishte e regjistruar në kadastër.

Ai mbrojti gjithashtu ish-kryeministrin Berisha, duke deklaruar se nuk kishte pasur ndërhyrje prej tij në proces.

Ndërkohë, SPAK solli në vëmendje dëshminë e mëparshme të gjeneralit Vladimir Qirjazi, i cili ka pretenduar se Oketa i kërkoi të firmoste dokumentet, duke i thënë se e njëjta gjë i kërkohej edhe atij.

“Unë i thashë Ministrit Gazmend Oketa se nuk mund të firmosja dhe ai më tha se edhe atij po ia kërkonin që të firmosej. Më tha ‘Duhet firmosur’, por nuk më sqaroi se kush ia kishte kërkuar firmosjen. Ministri Gazmend Oketa më tha se kjo gjë mund të shkonte deri në masë disiplinore”, thuhet në dëshminë e Qirjazit, të administruar në dosjen e SPAK.

Nga ana e tij, Oketa e kundërshtoi këtë pretendim gjatë seancës.

“Kur urdhri dorëzohet me shkrim, të tjerat nuk kanë rëndësi. Ai ashtu e ka peshuar. Mendoj se edhe unë i di arsyet pse ka vlerësuar të thotë kështu. Di që pretendimi ishte se prona nuk ishte e regjistruar. Por ai, bazuar në urdhrin tim, ngriti një grup pune për të vijuar procedurën për regjistrimin e pronës”, deklaroi Oketa para GJKKO-së.