Një 54-vjeçar humbi jetën pasi u qëllua nga policia në qytetin Bat Yam të Izraelit, pasi dyshohet se iu afrua efektivëve me një thikë në dorë.
Sipas policisë izraelite, efektivët iu përgjigjën një njoftimi për një person që po dëmtonte automjete në rrugën Hashikma. Gjatë ndërhyrjes, burri dyshohet se vrapoi drejt policëve me një thikë të nxjerrë, përcjell Ynet.
Policia deklaroi se efektivët “vepruan menjëherë” dhe hapën zjarr për të neutralizuar kërcënimin dhe për të ndaluar të dyshuarin.
54-vjeçari u transportua fillimisht në gjendje të rëndë në Qendrën Mjekësore Wolfson në Holon, por më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe verifikimin nëse viktima vuante nga probleme të shëndetit mendor.
