Vendosni fjalën kyçe....

Qarkullonte me pistoletë në makinë, arrestohet 32-vjeçari në Vlorë


Një 32-vjeçar është arrestuar në Vlorë gjatë operacionit policor të koduar “Siguria”, pasi u kap duke qarkulluar i armatosur.

Gjatë kontrollit në automjetin e tij tip Audi, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë, 40 fishekë luftarakë dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonte i armatosur me armë zjarri dhe me një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit, arrestohet 32-vjeçari.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, 40 fishekë luftarakë dhe një radio e ngjashme me ato të Policisë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytetin e Vlorës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Siguria”.

Si rezultat i operacionit, në lagjen “Lef Sallata”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Audi, me të cilin ai qarkullonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 2 krehra me 22 fishekë luftarakë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë luftarakë, si dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.