Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pasi rishqyrtoi çështjen e kthyer për shqyrtim nga Gjykata e Lartë.
Trupa gjykuese vendosi të mos ndryshojë vendimin e mëparshëm, duke e lënë Metën në qeli në kuadër të hetimeve ku ai dyshohet për tre vepra penale.
Ndërkohë, Meta ka paraqitur edhe një kërkesë tjetër në Apelin e GJKKO-së për ndryshimin e masës së sigurisë. Për këtë kërkesë u zhvillua seancë gjyqësore këtë të hënë, ndërsa gjyqtarja Saida Dollani u tërhoq për të shpallur vendimin në një datë tjetër.
Më herët, Gjykata e Lartë kishte vendosur ta kthente çështjen për rishqyrtim në Apelin e Posaçëm, i cili pas shqyrtimit të saj vendosi të lërë të pandryshuar masën e sigurisë ndaj ish-presidentit.
Meta vijon të kundërshtojë në rrugë gjyqësore vendimet e dhëna ndaj tij, ndërsa hetimet e SPAK-ut vazhdojnë.
