
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka mbërritur në Sllovaki për një vizitë zyrtare tre-ditore, duke u bërë kryeministri i parë indian që viziton vendin që nga shpallja e pavarësisë së tij në vitin 1993, pas ndarjes së ish-Çekosllovakisë, përcjell DW.
Vizita synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Indisë dhe Sllovakisë në fusha si tregtia, investimet, industria automobilistike dhe prodhimi hekurudhor.
Modi mbërriti në kryeqytetin Bratislavë të dielën në mbrëmje, ku u prit nga ministri i Jashtëm sllovak, Juraj Blanár. Në ceremoninë e mirëseardhjes u respektua tradita sllovake e ofrimit të bukës dhe kripës për mysafirët e nderit.
Gjatë qëndrimit në Sllovaki, kryeministri indian pritet të zhvillojë takime me presidentin Peter Pellegrini dhe kryeministrin Robert Fico.
“Ky është një rast për të thelluar marrëdhëniet mes Indisë dhe Sllovakisë dhe për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi”, është shprehur Modi.
Vizita në Sllovaki vjen menjëherë pas takimeve dypalëshe që lideri indian zhvilloi në qytetin francez Nice me presidentin francez Emmanuel Macron.
Pas përfundimit të vizitës, Modi do të rikthehet në Francë për të marrë pjesë në samitin e G7, që zhvillohet në Évian-les-Bains.