Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Vlora për debatet rreth investimit në Zvërnec, duke theksuar se çështja e pronave në zonë është një marrëdhënie mes subjekteve private dhe jo një vendimmarrje që mund të diktohet nga protestat.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë, ku u përball edhe me akuza për grabitje pronash dhe dokumente të falsifikuara, Rama tha se kishte bërë të qartë që në fillim dallimin mes projektit në Sazan dhe atij në Zvërnec.
“Sazani është çështje e qeverisë shqiptare sa i takon marrëveshjes dhe mënyrës si do të zhvillohet, ndërsa pjesa e Zvërnecit është çështje private, e pronarëve privatë”, deklaroi ai.
Kreu i qeverisë theksoi se e drejta e pronësisë nuk mund të kushtëzohet nga qëndrimet e protestuesve.
“Pronarët privatë merren vesh privatisht. Shqipëria shitet apo nuk shitet kur vjen puna te prona private, këtë e vendosin pronarët, jo protestuesit dhe as qeveritë”, u shpreh Rama.
Lidhur me pretendimet për konfliktet e pronësisë në zonë, ai tha se institucionet shtetërore bazohen te dokumentacioni zyrtar i regjistruar në hipotekë.
“Kur paraqitet një interes për investim, verifikohet prona që figuron në regjistrat shtetërorë. Ka shumë pretendime pronësie në Shqipëri, por agjencitë veprojnë mbi dokumentet e regjistruara zyrtarisht”, tha kryeministri.
Rama komentoi edhe hetimet që po zhvillohen për tokat në Zvërnec, duke sqaruar se ato nuk kanë lidhje me investitorët apo projektin turistik.
“Hetimi nuk bëhet për kompaninë, për investimin apo për projektin. Hetimi është për subjektin që ka shitur pronën. Nëse dikush ka të drejtë ligjore mbi atë pronë, hetimi mund ta ndihmojë ta provojë këtë në gjykatë”, deklaroi ai.
Sa i përket investitorëve, Rama tha se shteti shqiptar ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme për verifikimin e burimit të kapitaleve.
“Janë marrë të gjitha të dhënat nga agjencitë përgjegjëse për kontrollin e pastrimit të parave, të cilat kanë verifikuar burimin e fondeve të investitorëve”, tha Rama.
