Vendosni fjalën kyçe....

Dita e gjashtë e protestës për Zvërnecin, qytetarët marshojnë në Tiranë: “Shqipëria nuk shitet”


Ka nisur pasditen e sotme protesta e gjashtë radhazi kundër projektit të investimit në Zvërnec, me qytetarë dhe aktivistë që janë mbledhur sërish në qendër të Tiranës për të kundërshtuar projektin dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë marshuar përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit, duke përsëritur sloganet “Shqipëria nuk shitet” dhe “Rama jep dorëheqjen”.

Prej gjashtë ditësh, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është kthyer në qendrën e protestave kundër projektit në Zvërnec, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Sipas tyre, kundërshtimi nuk lidhet vetëm me projektin në Zvërnec, por edhe me një sërë vendimesh të tjera që, sipas protestuesve, prekin interesin publik, mjedisin dhe pronën.

Një ditë më parë, “Lëvizja e Re Qytetare” prezantoi pesë kërkesa kryesore drejtuar qeverisë:

Dorëheqjen e qeverisë;

Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;

Shfuqizimin e Paketës së Maleve;

Anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura;

Anulimin e ndryshimeve në legjislacionin për trashëgiminë kulturore.

Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar më shumë transparencë mbi projektet e debatueshme dhe përgjegjësi politike nga institucionet shtetërore.