Vendosni fjalën kyçe....

Karakaçi: Hyrja e Shkodrës përfundon më 23 qershor, ura e Bahçallëkut gati në fund të vitit


Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se projekti i hyrjes së Shkodrës do të përfundojë brenda datës 23 qershor, ndërsa ura e Bahçallëkut pritet të jetë gati në fund të vitit 2026.

Gjatë një interpelance në Kuvend me deputetët Kliti Hoti dhe Gjin Gjoni, ministri dha detaje mbi ecurinë e disa prej projekteve infrastrukturore në qarqet Shkodër dhe Lezhë, duke pranuar gjithashtu vonesa në procedurat për segmentin Milot-Balldren.

Karakaçi tha se punimet në hyrjen e Shkodrës po ecin sipas afateve kontraktuale dhe se aksi tashmë është i aksesueshëm në të dy korsitë.

“Jemi në përputhje me kushtet e kontratës. Që nga maji është e aksesueshme në të dyja korsitë. Do të përfundojë brenda afatit, brenda datës 23 qershor do të jetë i përfunduar. Është shtuar një rrethrrotullim që u konsiderua i nevojshëm për komunikimin e banorëve dhe bizneseve në dy anët e rrugës,” u shpreh ministri.

Sa i përket urës së Bahçallëkut, Karakaçi sqaroi se niveli i lartë i lumit ka ndikuar në ritmin e punimeve, por projekti pritet të përfundojë brenda muajve nëntor-dhjetor.

“Brenda muajit nëntor-dhjetor të vitit 2026, ura e Bahçallëkut është e përfunduar. Lumi ka qenë në nivel të lartë dhe ka qenë e pamundur të punohet,” deklaroi ai.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se punimet në rrugën e Dukagjinit janë përfunduar dhe kolauduar gjatë vitit 2025, sipas afateve të përcaktuara.

Lidhur me urën e Matit, Karakaçi tha se janë kryer ndërhyrje për forcimin e strukturës dhe se projekti për riasfaltimin e saj do të nisë në vjeshtë.

“Ura e Matit ka pasur ndërhyrje në këmbët e urës që të mos kishim rrezik. Ajo urë është pjesë e projektit të Bankës Botërore për riasfaltimin në tërësi. Riveshja me asfalt e asaj ure besoj duhet të fillojë në muajin shtator,” tha ai.

Ndërkohë, për urën e Lezhës, ministri siguroi se situata po monitorohet vazhdimisht nga grupet teknike në terren.

Një nga temat kryesore të interpelancës ishte edhe segmenti Milot-Balldren, për të cilin Karakaçi pranoi se ka pasur një vonesë në procesin e koncesionimit.

“Fituesi duhet të kishte dalë brenda datës 20 maj. Kërkoj shumë ndjesë sepse i ndiej ato dy javë të humbura. Projekti i Milot-Balldrenit është në fazë koncesionimi dhe ndodhet në fazën përmbyllëse,” u shpreh ministri.

Sipas tij, aksi Milot-Balldren mbetet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e qarkullimit dhe lidhjes së veriut të Shqipërisë me korridoret kryesore rrugore.