Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur nën sekuestro preventive një vilë në zonën e Gjilekës në Dhërmi, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku për veprat penale të dyshuara të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pasuria e sekuestruar është një vilë dykatëshe e tipit “Begonia”, e identifikuar si Vila Nr. F6, e ndodhur në një kompleks rezidencial në Dhërmi.
Nga hetimet e SPAK-ut dyshohet se pasuria është përfituar si shpërblim i paligjshëm në këmbim të favorizimit të një operatori ekonomik në një procedurë tenderuese të zhvilluar nga shoqëria shtetërore “Albcontrol”, në periudhën kur Balluku mbante detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të këtij institucioni.
Sipas organit të akuzës, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të përfshirë në procedurat e prokurimit, është paracaktuar fituesi i tenderit për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me një fond limit prej mbi 88 milionë lekësh, si dhe me një shtesë kontrate prej mbi 14 milionë lekësh pa TVSH.
Prokuroria pretendon se operatori ekonomik fitues ka përfituar trajtim favorizues, përfshirë edhe një parapagim prej 50 për qind të vlerës së kontratës. Në këmbim, sipas SPAK-ut, Balluku dyshohet se ka përfituar vilën në Dhërmi, me një vlerë të deklaruar prej 145 mijë eurosh.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një skemë të dyshuar për fshehjen e pronësisë reale të pasurisë. Sipas SPAK-ut, për të maskuar origjinën e vilës janë përdorur kontrata porosie dhe qiraje të konsideruara fiktive, si dhe persona të tretë, mes tyre një shtetas me inicialet I.T. dhe një vartëse e Ballukut në Albcontrol, me inicialet J.B.
Përmes analizimit të dokumentacionit dhe provave të siguruara gjatë hetimit, përfshirë metoda speciale të hetimit dhe prova digjitale, SPAK pretendon se ka arritur të dokumentojë përdorimin dhe kontrollin efektiv të pasurisë nga Balluku.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e çështjes dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë procedim penal.
