Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për arrestime, por për një model që nuk prodhon më korrupsion


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të kalojë nga reagimi ndaj rasteve individuale tek ndryshimi i mekanizmave që e prodhojnë atë, gjatë fjalës së saj në konferencën e organizuar nga CSDG mbi raportin vjetor të SPAK dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Tabaku theksoi se raporti evidenton se forcimi i institucioneve nuk është shoqëruar ende me një dobësim të qëndrueshëm të strukturave që prodhojnë korrupsion.

Në këtë kuadër, ajo theksoi se Kuvendi duhet të luajë një rol më aktiv në mbikëqyrjen e reformave dhe institucioneve, duke kaluar përtej miratimit formal të ligjeve dhe duke vlerësuar efektivitetin real të tyre.

“Parlamenti duhet të masë ndikimin e reformave dhe të kërkojë llogari kur rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë. Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje e pavarësisë së institucioneve, por edhe e efektivitetit të tyre”, u shpreh Tabaku.

Duke iu referuar të dhënave të raportit, ajo ngriti shqetësimin për nivelin e ulët të konfiskimeve përfundimtare të pasurive të sekuestruara, duke argumentuar se pa kthimin e këtyre aseteve në përfitim të shoqërisë, një pjesë e rëndësishme e luftës kundër korrupsionit mbetet e papërfunduar.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së saj iu kushtua kostos ekonomike të korrupsionit. Tabaku theksoi se dëmi ekonomik prej rreth 273 milionë eurosh i identifikuar gjatë vitit 2025 nuk përfaqëson thjesht një statistikë, por investime të munguar, shërbime publike të parealizuara dhe mundësi të humbura për zhvillimin e vendit.

Ajo nënvizoi se prokurimet publike, partneritetet publike-private dhe menaxhimi i pasurisë publike mbeten fushat më të ekspozuara ndaj korrupsionit, duke argumentuar se fokusi duhet të jetë tek ndërtimi i një ekonomie ku korrupsioni të jetë i vështirë për t’u realizuar dhe jo vetëm i dënueshëm pas faktit.

Sipas Tabakut, format moderne të korrupsionit janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara dhe shpesh maskohen përmes procedurave dhe instrumenteve ligjore që në dukje duken të rregullta. Për këtë arsye, ajo kërkoi më shumë transparencë, mekanizma parandalues dhe kontroll paraprak në administrimin e fondeve publike.

Në përfundim, deputetja e PD-së theksoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk janë më vetëm çështje të drejtësisë, por sfida që prekin sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe funksionimin demokratik të shtetit.

“Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për institucione më të forta. Ka nevojë për një shtet ku korrupsioni të mos jetë më mënyra më fitimprurëse për të bërë biznes, për të marrë një kontratë publike apo për të ndikuar në vendimmarrje. Vetëm atëherë do të mund të kalojmë nga lufta kundër korrupsionit tek fitorja mbi korrupsionin”, përfundoi Tabaku.