Vendosni fjalën kyçe....

Begaj dekreton ndryshime në trupën diplomatike, emëron ambasadorë të rinj dhe liron disa nga detyra


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar një sërë ndryshimesh në trupën diplomatike shqiptare, duke liruar disa ambasadorë nga detyra dhe duke emëruar përfaqësues të rinj diplomatikë në poste të ndryshme jashtë vendit.

Sipas dekreteve të firmosura nga kreu i shtetit, një pjesë e ambasadorëve të rinj do të ushtrojnë funksionin e tyre jo vetëm si përfaqësues rezidentë në vendet ku janë akredituar, por edhe si ambasadorë jorezidentë në shtete të tjera.

Ndër ndryshimet e miratuara, Donika Hoxha është liruar nga detyra e ambasadores së Shqipërisë në Bosnje dhe Hercegovinë. Në vend të saj është emëruar Spiro Koçi.

Një tjetër ndryshim prek përfaqësimin diplomatik në organizatat ndërkombëtare. Eglantina Gjermeni është emëruar ambasadore pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë.

Ndërkohë, Dastid Koreshi është liruar nga detyra e ambasadorit pranë Këshillit të Europës në Strasburg. Ai do të vijojë karrierën diplomatike si ambasador i Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë.

Presidenti Begaj ka dekretuar gjithashtu emërimin e Florian Novës si ambasador të Shqipërisë në Egjipt. Përveç këtij posti, ai do të jetë ambasador jorezident në Siri, Jordani, Libi, Palestinë, Liban dhe Sudan.

Elvira Isufi është emëruar ambasadore e Shqipërisë në Suedi dhe do të mbulojë njëkohësisht si ambasadore jorezidente edhe Finlandën, Islandën dhe Norvegjinë.

Ndërsa Ermal Muça është emëruar ambasador në Japoni, me kompetenca jorezidente edhe për Filipinet, Indonezinë, Singaporin, Malajzinë dhe Korenë.

Ndryshimet janë pjesë e riorganizimit periodik të përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në botë dhe synojnë forcimin e pranisë së vendit në marrëdhëniet dypalëshe dhe organizatat ndërkombëtare.