
Franca, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të tjerë, ka ndaluar një cisternë nafte ruse të sanksionuar në Oqeanin Atlantik, në kuadër të përpjekjeve për të goditur të ashtuquajturën “flotë fantazmë” që Moska përdor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, përcjell Euronews.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri të ditur se anija “Tagor” u ndalua të dielën në ujëra ndërkombëtare. Sipas tij, është e papranueshme që anije të tilla të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare, të shkelin të drejtën detare dhe të financojnë luftën që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës.
Që nga shtatori i vitit të kaluar, autoritetet franceze kanë ndaluar edhe tre anije të tjera që dyshohet se janë pjesë e flotës fantazmë ruse. Në tetor 2025, forcat franceze sekuestruan cisternën “Boracay”, me flamur të Beninit, ndërsa më pas u hap një hetim për të verifikuar nëse ajo ishte përdorur si bazë për një inkursion me dron në hapësirën ajrore të Danimarkës.
Më 1 mars të këtij viti, helikopterë të Marinës Franceze, në mbështetje të forcave belge, hipën në cisternën “Ethera” në Detin e Veriut, e cila lundronte nën flamurin e Guinesë. Ndërsa më 20 mars, Marina Franceze ndaloi në Mesdhe cisternën “Deyna”, e dyshuar se operonte me flamur të rremë të Mozambikut.
Sipas raportimeve, Rusia ka krijuar një rrjet të gjerë cisternash të vjetra me pronësi të paqartë për të anashkaluar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e G7 pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Këto anije ndryshojnë shpesh flamurin nën të cilin lundrojnë ose përdorin regjistrime të pavlefshme për të shmangur identifikimin dhe gjurmimin. Shumë prej tyre konsiderohen të amortizuara, pa sigurime të verifikueshme dhe me rrezik të lartë për incidente mjedisore.
Sipas të dhënave të Bashkimit Europian, afro 600 anije të dyshuara si pjesë e “flotës fantazmë” ruse janë aktualisht subjekt i sanksioneve.