Vendosni fjalën kyçe....

Egnatia shkruan historinë, shpallet kampione e Shqipërisë për herë të tretë radhazi


Egnatia vazhdon të dominojë futbollin shqiptar. Skuadra nga Rrogozhina u shpall kampione e Shqipërisë për të tretin sezon radhazi, duke kurorëzuar një tjetër edicion të suksesshëm me triumfin në fazën “Final Four”.

Ekipi i drejtuar nga Nevil Dede bëri detyrën në ndeshjen vendimtare, duke mposhtur Dinamon me rezultatin 2-0 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe duke siguruar matematikisht titullin kampion.

Heroi i mbrëmjes ishte Albanez, i cili realizoi të dy golat e takimit dhe i dha Egnatias fitoren që i nevojitej për të ngritur trofeun. Me këtë sukses, rrogozhinasit e mbyllin sezonin në kuotën e 37 pikëve, duke konfirmuar superioritetin e tyre në futbollin shqiptar.

Egnatia zhvilloi një fazë “Final Four” perfekte, duke fituar të gjitha ndeshjet dhe duke mos lënë asgjë në dorë të fatit për arritjen e objektivit madhor.

Pas vërshëllimës së fundit, festa shpërtheu mes lojtarëve, stafit dhe tifozëve, ndërsa në Rrogozhinë pritet një natë e gjatë festimesh për titullin e tretë radhazi kampion.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, Elbasani fitoi 2-1 ndaj Vllaznisë.

Për të dyja skuadrat, sezoni mbyllet pa arritjen e objektivave të synuara. Si Vllaznia, ashtu edhe Elbasani do të duhet të nisin menjëherë punën për ndërtimin e skuadrave të sezonit të ardhshëm, me synimin për të qenë më konkurrues në garën për trofetë.