
Kryeministri izraelit Netanyahu tha të dielën se marrja e Kalasë së Bofortit në Libanin jugor nga ana e IDF-së shënon një “ndryshim dramatik” në politikën e Izraelit kundër Hezbollahut, ndërsa trupat vazhdojnë të vendosin kontrollin mbi terrenet strategjike në veri të lumit Litani.
“Sonte, ushtarët tanë heroikë pushtuan pozicionin e Bofortit,” tha Netanyahu në një deklaratë.
“Ata ngritën me krenari flamurin e Shtetit të Izraelit dhe flamurin e Brigadës Golani.”
IDF-ja njoftoi më herët të dielën se forcat e saj kishin marrë kontrollin e Kalasë së Bofortit si pjesë e një operacioni më të gjerë në brezin e Bofortit dhe në zonën e përroit Saluki. Ushtria tha se forcat nga Brigada Golani, Brigada e 7-të, Brigada Givati, Brigada e Zjarrit kaluan lumin Litani disa ditë më parë për të larguar atë që ajo e përshkroi si një kërcënim të drejtpërdrejtë për rajonin e Galilesë dhe Metulës.
Zona e Bofortit, në veri të Litanit, konsiderohet nga IDF-ja si një zonë kyçe e Hezbollahut për shkak të pozicionit të saj dominues mbi pjesë të mëdha të Libanit jugor dhe kufirit me Izraelin. Ushtria tha se operacioni u parapri nga një zjarr përgatitor dhe punë operacionale në terren e udhëhequr nga Komanda Veriore, dhe kishte për qëllim marrjen e brezit malor, shkatërrimin e infrastrukturës së Hezbollahut dhe shtyrjen e kërcënimit më larg nga komunitetet veriore.
Pesha simbolike dhe bilanci i luftimeve
Netanyahu e lidhi këtë pushtim me peshën simbolike që kjo fortesë ka në kujtesën izraelite.
“Ju kujtoj se 44 vjet më parë, ky vend ishte simbol i një beteje heroike të ushtarëve tanë, por edhe simbol i një përçarjeje të thellë mes nesh,” tha ai, duke iu referuar betejës së vitit 1982 për Bofortin në fillim të Luftës së Parë të Libanit.
“Sot ne u kthyem këtu ndryshe. U kthyem të bashkuar, të vendosur dhe më të fortë se kurrë.”
Sipas Netanyahut, trupat izraelite përgjatë kufirit verior i kanë thënë atij se opinioni publik nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për shkallën e arritjeve të ushtrisë.
Urdhri për thellimin e manovrës
Netanyahu tha se e kishte udhëzuar IDF-në të thellonte manovrën ushtarake në Liban.
“Forcat tona kaluan Litanin, morën zonat dominuese dhe pushtuan brezin e Bofortit,” tha ai.
“Tani udhëzimi im është të thellojmë dhe zgjerojmë kontrollin tonë në vende që ishin nën kontrollin e Hezbollahut. Pushtimi i Bofortit është një etapë dramatike dhe një ndryshim dramatik në politikën që ne po udhëheqim.”
“Ne e thyem barrierën e frikës,” shtoi ai.
Netanyahu tha se Izraeli ka krijuar zona sigurie përtej kufijve të tij në Siri, Gazë dhe Liban për të mbrojtur komunitetet izraelite. Ai pranoi se fushata do të kërkojë më shumë kohë, por u zotua se Izraeli do të rikthejë sigurinë në veri, ashtu siç bëri për banorët në jug, shkruan Ynet.