Vendosni fjalën kyçe....

“Përplasja në Zvërnec e ka zanafillën te Ligji për Investimeve Strategjike, e kam kundërshtuar me forcë” – Tabaku


Deputetja e PD-së Tabaku ka cekur çështjen e përplasjes në Zvërnec duke theksuar se e gjitha ka nisur përmes Ligjit të Investimeve Strategjike. Ajo shkruan se e ka kundërshtuar me forcë miratimin e këtij ligji që kur është miratuar para dhjetë vitesh.

Tabaku vëren se e ka kundërshtuar miratimin e ligjit jo vetëm sepse bie ndesh me të drejtën kushtetuese të pronës por edhe sepse krijon privilegje, ndërhyën në marrëdhëniet mes privatëve e prodhon konflikte sociale.

Në fund ajo u kërkon institucioneve shtetërore që të japin përgjigjet e duhura ndaj qytetarëve.

“Prej disa ditësh në Zvërnec po zhvillohet një debat që shkon përtej një projekti të vetëm. Është një debat për të drejtën e pronës, për zhvillimin ekonomik, për mbrojtjen e mjedisit dhe për pasojat që ka sjellë Ligji i Investimeve Strategjike.

Betejën kundër këtij ligji e kam nisur që në ditën e parë kur u miratua në Parlament, para gati dhjetë vitesh. Kam kundërshtuar amendamentet e minutës së fundit me të cilat u votua, kam paraqitur propozime ligjore pothuajse çdo vit për ndryshimin ose shfuqizimin e tij dhe vitin e kaluar dorëzova një nismë konkrete për pezullimin e ligjit.

E kam bërë këtë jo vetëm sepse bie ndesh me të drejtën kushtetuese të pronës, por edhe sepse krijon privilegje, ndërhyn në marrëdhëniet mes privatëve, prodhon konflikte sociale dhe bie ndesh me frymën e angazhimeve që Shqipëria ka marrë në procesin e integrimit europian.

Nuk e di se kush ka të drejtë në çdo pretendim që ngrihet sot në Zvërnec. Nuk e di kush janë të gjithë pronarët dhe cilat janë të vërtetat ligjore të secilës palë. Pikërisht për këtë arsye ekziston shteti. Këto pyetje duhej të kishin marrë përgjigje përpara se të jepeshin leje dhe përpara se konflikti të arrinte në këtë pikë.

Por një gjë e di me siguri: kur qytetarë që protestojnë për të drejtat e tyre përballen me persona civilë të paidentifikuar dhe trajtohen në mënyrë çnjerëzore, diçka nuk shkon.

Pamjet e publikuara, ku protestues tërhiqen zvarrë nga persona që nuk përfaqësojnë asnjë autoritet publik të identifikueshëm, janë të papranueshme. Ato nuk kanë vend në një shtet demokratik dhe as në një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Në një shtet normal do të kishte transparencë, hetim të plotë dhe dëgjim të të gjitha palëve. Në një shtet normal askush nuk do të lejohej të sillej si bandit ndaj qytetarëve që protestojnë paqësisht.

Banorët dhe aktivistët që po protestojnë duhet të dëgjohen. Të drejtat e njeriut, dinjiteti njerëzor dhe e drejta për t’u shprehur nuk janë privilegje. Janë minimumi që një shtet demokratik u detyrohet qytetarëve.” – shkruan Tabaku në Facebook.