
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka bërë të ditur nisjen e një hetimi disiplinor ndaj gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Vlorës, pas incidentit të dhunës së ushtruar nga roje private ndaj qytetarëve gjatë protestës në Zvërnec.
Ngjarja ka ndodhur gjatë një proteste kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit, të realizuar nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, ku u raportua përdorim force ndaj disa protestuesve.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Shtetit ka arrestuar një truproje private, i cili akuzohet se ka goditur me grusht dhe ka tërhequr zvarrë një qytetar gjatë protestës.
Gjithashtu, janë vendosur nën hetim edhe dy roje të tjerë të një kompanie private sigurie, të dyshuar për përfshirje në dhunimin e protestuesve.
Autoritetet kanë theksuar se hetimet po vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit person të përfshirë.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë së Shtetit
“Identifikohet, kapet dhe arrestohet punonjësi i shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht shtetasin E. S.
Ndërkohë, nis hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.
Menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike ku shfaqet një punonjës i shoqërisë private të sigurisë duke goditur me grusht shtetasin E. S., Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar dhe hetuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026 nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë identifikimi dhe shoqërimi i punonjësit të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit G. B., 32 vjeç, banues në Durrës, i cili, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V. (të dy të proceduar penalisht), e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Ndërkohë, paralelisht me veprimet hetimore, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.
Policia e Shtetit është e vendosur të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, të garantojë sigurinë e jetës dhe të pronës, si dhe të ndëshkojë çdo punonjës policie që neglizhon detyrën apo abuzon me të.”