Vendosni fjalën kyçe....

Organizata bamirëse mjekësore MSF: Përhapja e Ebolës në Kongo, alarmante


Përhapja e shpejtë e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka krijuar një situatë “thellësisht alarmante”, ka paralajmëruar organizata bamirëse mjekësore Médecins Sans Frontières (MSF).

Duke folur dy javë pas shpalljes së shpërthimit, Zëvendës Drejtori i MSF, Dr. Alan Gonzales, tha se kurrë më parë nuk ishin regjistruar “kaq shumë raste” kaq shpejt.

Komentet e tij erdhën ndërsa kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, mbërriti në provincën lindore kongoleze të Iturit – zona më e goditur – për të mbikëqyrur përpjekjet për përmbajtjen e virusit.

Tani ka më shumë se 1,000 raste të dyshuara të Ebolës në RD të Kongos dhe të paktën 246 vdekje. Uganda fqinje ka raportuar nëntë raste të konfirmuara dhe një vdekje.

“Dy javë pas shpalljes së shpërthimit të sëmundjes Ebola në Provincën Ituri, situata është thellësisht alarmante”, tha Gonzalez në një deklaratë të shtunën.

“Asnjëherë më parë një shpërthim i Ebolës nuk ka regjistruar kaq shumë raste kaq shpejt pas deklarimit të saj”, tha ai, duke theksuar se ekipet e tij në terren po “dëshmonin një përgjigje që ende nuk e ka kapur ritmin e përhapjes së shpejtë të epidemisë”, shkruan BBC.

“Realiteti sot është se askush nuk e di shkallën dhe ashpërsinë e vërtetë të këtij shpërthimi. Raste të reja të dyshuara raportohen çdo ditë, megjithatë qindra mostra mbeten të patestuara.”

Gonzalez shtoi se përpjekjet për përmbajtje dhe shpërndarja e ndihmës humanitare po vonoheshin nga “kufizime të mëdha”, duke përfshirë mbylljen e kufijve dhe aeroporteve.

OBSH-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se konflikti i vazhdueshëm në Republikën Demokratike të Kongos po pengon ndjeshëm reagimin ndaj shpërthimit të Ebolës.