Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi një takim me ambasadorin e Holanda në Tiranë, Reinout Vos, si dhe me oficerin e kontaktit holandez të atashuar pranë Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit, Hita mori edhe letrën e urimit të dërguar nga homologja e tij holandeze, drejtuesja e Policisë së Holandës, Janny Knol.
“Shpreh konsideratën time më të lartë për ju dhe Policinë e Shtetit shqiptar, dhe ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj. Të dyja, Policia holandeze dhe Policia e Shtetit, bashkëndajnë angazhimin e lartë në luftën kundër krimeve ndërkufitare”, thuhet në letrën e Knol.
Në vijim, Hita falënderoi ambasadorin Vos për vizitën dhe vlerësoi bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese shqiptare dhe holandeze, duke theksuar rezultatet konkrete në luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtar.
Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve ka ndihmuar në lokalizimin dhe ekstradimin e personave në kërkim, krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimin në kohë reale të inteligjencës kriminale, si dhe në sekuestrimin e aseteve kriminale.
“Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar dhe e hapur për të thelluar më tej bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese holandeze”, mësohet të ketë deklaruar Hita gjatë takimit.
Nga ana tjetër, ambasadori Vos përgëzoi Hitën për detyrën e re dhe garantoi mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për forcimin e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe vizioni i kreut të Policisë së Shtetit për një polici moderne, të besueshme dhe më pranë qytetarëve, si dhe forcimi i partneritetit mes institucioneve shqiptare dhe atyre holandeze në luftën kundër krimit ndërkufitar.
