Vendosni fjalën kyçe....

Gjenden gjallë 5 nga 7 personat e bllokuar prej më shumë se një jave në një shpellë të përmbytur në Laos


Pesë persona janë gjetur gjallë pasi kishin mbetur të bllokuar për më shumë se një javë në një shpellë të përmbytur në qendër të Laos, ndërsa dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas ekipeve të shpëtimit nga Laosi dhe Tajlanda, shtatë banorët hynë në shpellën në provincën Xaisomboun më 19 maj, por reshjet e dendura shkaktuan përmbytje të menjëhershme që bllokuan daljen.

Një video e publikuar nga një grup tajlandez shpëtimi tregonte momentin kur zhytësit dolën nga uji dhe gjetën të mbijetuarit. Në pamje, personat e bllokuar shiheshin të ulur mbi një shkëmb, të rrethuar nga uji, ndërsa mbanin llamba në kokë.

Drejtuesi i operacionit të shpëtimit, zhytësi Mikko Paasi, deklaroi për CBS News se prioriteti kryesor është furnizimi me ushqim dhe ujë për pesë të mbijetuarit.

“Ata duken të çorientuar dhe nuk janë të sigurt se ku ndodhen, por janë mirë”, tha Paasi nga brendësia e shpellës.

Ai shtoi se operacioni vijon për gjetjen e dy personave të tjerë të zhdukur.

Sipas Paasit, zgjidhja ideale do të ishte nxjerrja e ujit nga shpella në mënyrë që të bllokuarit të mund të dilnin në këmbë, por ekzistojnë shqetësime për rritjen e nivelit të dioksidit të karbonit në dhomën e vogël ku ndodhen të mbijetuarit.

“Nuk është ende e qartë nëse ata janë mjaftueshëm të fortë për të përballuar daljen e vështirë nga shpella”, deklaroi ai.

Operacioni i shpëtimit po zhvillohet në një zonë të thellë malore, rreth 120 kilometra në veri të kryeqytetit Vientiane. Ekipet e shpëtimit kanë raportuar se terreni i vështirë dhe reshjet intensive të shiut kanë penguar ndërhyrjen.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se hyrja në shpellë arrihet vetëm pas një ecjeje të vështirë prej afro 4 kilometrash në këmbë, ndërsa hyrja është e ngushtë dhe shkëmbore.

Mediat lokale raportojnë se shpella frekuentohej nga banorë të zonës që kërkonin ar, pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për rrezikun e lartë.