Vendosni fjalën kyçe....

Fondi i “Bordit të Paqes” të Trump pa financime, pavarësisht premtimeve për 17 miliardë dollarë


Fondi i krijuar për projektin “Bordi i Paqes” të presidentit amerikan Donald Trump nuk ka marrë ende asnjë financim në fondin e administruar nga Banka Botërore, megjithëse janë premtuar rreth 17 miliardë dollarë nga SHBA dhe liderë të tjerë botërorë, raportoi gazeta britanike Financial Times.

“Zero dollarë janë depozituar”, tha një burim i njohur me çështjen për gazetën.

Sipas raportit, donacionet e dhëna deri tani nuk kanë kaluar përmes fondit të Bankës Botërore, por janë depozituar drejtpërdrejt në një llogari të projektit pranë JPMorgan Chase, përcjell JP.

Një zyrtar i “Bordit të Paqes” deklaroi se ishin krijuar disa mekanizma për marrjen e financimeve.

“Në këtë moment, kontribuuesit kanë zgjedhur të përdorin rrugë të tjera”, tha ai.

Raporti thekson se llogaria bankare në JPMorgan nuk ka detyrim të raportojë gjendjen financiare para kontribuuesve apo anëtarëve të bordit, ndryshe nga fondet e administruara nga Banka Botërore.

Ndërkohë, Maroku ka kontribuar me rreth 20 milionë dollarë, fonde që janë përdorur për funksionimin e zyrës së Nickolay Mladenov dhe për pagat e komitetit teknokratik palestinez të krijuar për administrimin e Gazës pas luftës.

Po ashtu, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë premtuar 100 milionë dollarë për trajnimin e një force të re policore në Gaza, por fondet mbeten të ngrira dhe programi ende nuk ka nisur.

Sipas gazetës britanike, Departamenti Amerikan i Shtetit planifikon të rialokojë rreth 1.2 miliardë dollarë ndihma për projekte që lidhen me “Bordin e Paqes”, por këto para ende nuk janë përdorur.

Një ndihmës i lartë i Kongresit amerikan deklaroi se:

“Asnjë nga këto para nuk menaxhohet nga Bordi i Paqes dhe Departamenti i Shtetit na ka bërë të qartë se nuk synon t’ia kalojë fondet këtij organizmi.”

Raporti shton se Departamenti Amerikan i Shtetit synon gjithashtu të japë rreth 50 milionë dollarë direkt për projektin, por fondet nuk janë shpërndarë ende, pasi mungojnë mekanizmat e nevojshëm për administrimin e tyre.

Zëdhënësi i “Bordit të Paqes” pranoi se aktualisht nuk ekziston një sistem funksional për menaxhimin e ndihmave dhe shërbimeve të planifikuara për Gazën.

“Nuk po grumbullojmë para në një llogari bankare për të dhënë kontrata për gjëra që nuk mund të realizohen”, u shpreh ai.

Ndërkohë, akademiku palestinezo-amerikan Bishara Bahbah tha se komiteti palestinez ende nuk ka nisur punën në Gaza për shkak të mungesës së financimeve.

“Ata e dinë se nëse shkojnë në Gaza, njerëzit do t’u kërkojnë ndihmë dhe ata nuk kanë asnjë mjet apo mundësi për të ofruar diçka”, deklaroi Bahbah.