Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, vizitoi paraditen e sotme në Spitalin e Traumës efektivin e Policisë së DVP Korçë, i cili mbeti i plagosur së bashku me një koleg gjatë një operacioni antidrogë në aksin Korçë–Pogradec.
Gjatë vizitës, Hita uroi punonjësit e policisë shërim të shpejtë dhe vlerësoi profesionalizmin dhe përgjegjësinë e treguar gjatë përmbushjes së detyrës.
“Të uroj shërim sa më të shpejtë ty dhe kolegut tjetër, i cili fatmirësisht është më mirë dhe është larguar pranë banesës. Keni treguar përgjegjësi dhe profesionalizëm në kryerjen e detyrës”, u shpreh ai.
Sipas Policisë, dy efektivët kishin konstatuar një person të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike pranë fshatit Lumalas dhe kishin tentuar ta ndalonin. Në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit, 21-vjeçari ka përplasur qëllimisht automjetin e policisë, duke shkaktuar plagosjen e dy efektivëve.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë dy shtetas, 19 dhe 21 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim një 27-vjeçar, pronar i një lokali ku dyshohet se shitej lëndë narkotike dhe organizoheshin lojëra të fatit.
Policia bëri me dije se gjatë kontrolleve u sekuestruan doza të dyshuara cannabis sativa dhe kokainë, si dhe një tavolinë pokeri.