Vendosni fjalën kyçe....

Spitali i Mirditës kthehet në qendër rajonale të traumës dhe rehabilitimit



Spitali Bashkiak i Mirditës do të transformohet në një qendër rajonale të traumës dhe rehabilitimit, në kuadër të reformës së re spitalore për Veriun e Shqipërisë.

Pavioni i ri i Traumës do të ofrojë trajtime të specializuara në traumatologji, ortopedi dhe rehabilitim, me synim uljen e fluksit në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë dhe ofrimin e shërbimeve më pranë qytetarëve.

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, inspektuan investimin në Spitalin Bashkiak Mirditë, ku theksuan rëndësinë e forcimit të kapaciteteve rajonale shëndetësore.

Sipas ministres Sala, ky transformim synon krijimin e një poli të specializuar për zonën veriore dhe decentralizimin e shërbimeve spitalore. Ajo tha se modeli do të vlerësohet edhe për zona të tjera të vendit.

Ndërsa ministri Nufi u shpreh se përmes bashkëpunimit mes institucioneve civile dhe ushtarake, shërbimet do të jenë në dispozicion si për personelin ushtarak ashtu edhe për qytetarët.

Projekti parashikon zgjerimin e shërbimeve të ortopedisë, fizioterapisë, kirurgjisë dhe rehabilitimit, si dhe mbështetje me telemjekësi për imazherinë.