Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e të ardhurave nga asetet kulturore, Strategjia e re: Përfitim nga turizmi, me pak burokraci


Qeveria po tenton të ndryshojë rrënjësisht modelin duke u përpjekur t’i kthejë asetet kulturore dhe historike nga monumente që thjesht konsumojnë para nga buxheti i shtetit, në kontribues reale te rritjes.

Sipas dokumentit të ri të Strategjisë Kombëtare të Kulturës, të hedhur për konsultim publik, qeveria po planifikon një reformë për të nxjerrë përfitime maksimale financiare nga ky sektor. Synimi kryesor i shpallur zyrtarisht në dokument është “kthimi i sektorit kulturor në një lojtar aktiv në zhvillimin ekonomik të vendit”.

Dokumenti pranon se sistemi i vjetër ka pasur probleme të mëdha me menaxhimin dhe vonesat administrative. Për të zgjidhur këtë ngërç, strategjia e re udhëhiqet nga parimi për të pasur “më pak burokraci dhe që kultura të jetë një gjenerues real ekonomik”. Ky ndryshim pritet të çlirojë projektet e bllokuara dhe të tërheqë më shumë kapital në pikat historike të vendit.

Për të përfituar nga bumi  turistik që po kalon Shqipëria, qeveria dëshiron të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si shpenzohen paratë e taksapaguesve. Në vend që të financohen aktivitete pa kthim financiar, strategjia kërkon shprehimisht “riformatimi i ngjarjeve që konsumojnë buxhete të mëdha, por kanë ndikim të kufizuar afatgjatë”. Synimi është që fondet publike të shkojnë për asete që sjellin vlerë të qëndrueshme.

Një vëmendje tjetër i kushtohet teknologjisë dhe fushave moderne përmes pikës që strategjia e emërton si “zhvillimi i tregjeve kulturore dhe industrive kreative”. Përmes reformave të reja, si ligji për kinematografinë dhe sektorin audioviziv, Shqipëria synon të tërheqë investime të huaja direkte, duke u kthyer në një qendër rajonale për produksionet e huaja të filmave që sjellin kapital  në vend.

Në aspektin e financimit, shteti nuk do të jetë më i vetmi që paguan për artin. Përmes krijimit të një mekanizmi të ri financiar, të cilin dokumenti e zyrtarizon si “krijimi i Fondit Kombëtar për Artin”, synohet që paratë e shtetit të shërbejnë vetëm si nxitës, ndërsa pjesa tjetër e fondeve të vijë nga biznesi privat dhe donatorët.

Në fund, strategjia synon atë që në tekst quhet “zhvillimi i audiencave të reja përmes integrimit të programeve kulturore në sistemin parauniversitar”. Nga pikëpamja ekonomike, ky është një investim direkt tek kapitali njerëzor. Duke i afruar të rinjtë me artin që në shkollë, qeveria kërkon të krijojë një treg të brendshëm që blen bileta dhe konsumon produkte kulturore, duke e shkëputur industrinë nga varësia totale ndaj granteve të shtetit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor