Vendosni fjalën kyçe....

Kontrolle në burgun e Peqinit, zbulohen telefona dhe alkool në disa qeli



Në burgun e sigurisë së lartë në Peqin janë zhvilluar kontrolle të befasishme, gjatë të cilave janë zbuluar dhe sekuestruar sende të ndaluara në disa qeli të të dënuarve.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë kryer nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të Vendimeve Penale, si dhe me forcat e sigurisë së disa institucioneve penitenciare.

Gjatë kontrollit ndaj disa të dënuarve, janë gjetur telefona celularë të markave të ndryshme, karikues, kufje wireless, si dhe sasi alkooli, përfshirë shishe raki, uiski dhe verë.

Ndër rastet e evidentuara, një i dënuar është gjetur në posedim të një telefoni iPhone, karikuesi dhe kufjesh, ndërsa një tjetër kishte dy telefona celularë së bashku me pajisje karikimi dhe disa shishe me pije alkoolike.

Autoritetet kanë bërë të ditur se materialet procedurale janë referuar për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kontrolle të ngjashme janë raportuar edhe më herët në institucione të tjera të vuajtjes së dënimit në vend, ku janë konstatuar gjithashtu sende të ndaluara.