
Tulsi Gabbard ka njoftuar dorëheqjen nga posti i drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se vendimi lidhet me gjendjen shëndetësore të bashkëshortit të saj, Abraham Williams, i diagnostikuar me një formë të rrallë të kancerit të kockave, përcjell Reuters.
Në letrën e dorëheqjes të publikuar në rrjetin social X, Gabbard falënderoi presidentin Donald Trump për besimin dhe mundësinë për të drejtuar Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare gjatë një viti e gjysmë.
“ Nuk mund t’i kërkoj me ndërgjegje të qetë të përballet i vetëm me këtë betejë, ndërsa unë vazhdoj një detyrë kaq kërkuese dhe që merr shumë kohë”, shkroi ajo.
Sipas raportimeve, dorëheqja hyn në fuqi më 30 qershor. Trump njoftoi se zëvendësdrejtori aktual, Aaron Lukas, do të marrë përkohësisht drejtimin e institucionit.