Vendosni fjalën kyçe....

Skandali në Durrës/ IKMT pranon dëmtimet: Fundosen dy godina të kompleksit të “Alabbar-it”



Pas investigimit të publikuar nga emisioni Piranjat, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit reagoi zyrtarisht për problematikat e konstatuara në projektin “Durrës Marina”, duke pranuar se dy godina banimi pranë kompleksit të njohur si “Alabbar” kanë pësuar dëmtime serioze strukturore dhe ulje të konsiderueshme në terren.

Projekti që u prezantua me bujë si një nga investimet më strategjike dhe moderne në Shqipëri, duket se po përballet me një realitet krejt tjetër nga propaganda e servirur publikisht.

Nga premtimet për luks, standarde ndërkombëtare dhe transformim historik të Portit të Durrësit, vëmendja tashmë është zhvendosur te godinat që fundosen ende pa përfunduar punimet.

Në reagimin e tij, IKMT konfirmon se nga kontrollet dhe raporti topografik i Institutit të Ndërtimit rezulton se objekti 02 është fundosur me 28 centimetra, ndërsa objekti 04 me 18 centimetra. Të dy godinat ndodhen në zonat e menaxhimit A02 dhe A04 të projektit dhe janë në fazën e sistemimeve të jashtme.

Pranimi zyrtar i këtyre dëmtimeve vjen vetëm pasi skandali u denoncua publikisht nga “Piranjat”, të cilët ngritën dyshime mbi sigurinë e ndërtimeve dhe mënyrën e realizimit të punimeve në një terren ranor pranë detit.

Sipas denoncimit, problematika ka nisur që në fazat e para të ndërtimit, ku pretendohet se nuk janë vendosur pilotat e thella të nevojshme për garantimin e stabilitetit të godinave. Pas konstatimeve, IKMT i është drejtuar kompanisë zbatuese me kërkesë zyrtare për marrjen e masave të menjëhershme dhe realizimin e projekt-përforcimeve teknike që do të garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave dhe sigurinë e banesave.

Ndërkohë, projekti “Durrës Marina”, i prezantuar si një investim strategjik miliarda eurosh në zonën e portit të Durrësit, është shoqëruar vazhdimisht me debate dhe kritika për ecurinë e punimeve, modelin financiar dhe standardet teknike të ndërtimit.

Një situatë e tillë kërkon hetim të plotë administrativ dhe penal nga institucionet përgjegjëse. Përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te kompania zbatuese, pasi në një projekt të këtyre përmasave janë të përfshirë projektues, supervizorë, institucione monitoruese dhe autoritete shtetërore që kanë dhënë lejet dhe kanë ndjekur ecurinë e punimeve.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të ketë përgjegjësi konkrete për këtë situatë, ndërsa pyetjet mbi sigurinë e projektit dhe rolin e institucioneve mbeten ende pa përgjigje./Piranjat News