
Në një kërkesë zyrtare drejtuar anëtarëve të KLP-së, Erion Veliaj pretendon se kërkesa për pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado nuk është shqyrtuar nga KLP si organ kolegjial.
Sipas dokumentacionit të paraqitur në gjykim, Veliaj thotë se lidhur me kërkesën ka vepruar vetëm nënkryetari i KLP-së, Erind Gërmenji, përmes një shkrese zyrtare të muajit mars 2025.
“Gjatë zhvillimit të këtij gjykimi, pas paraqitjes nga përfaqësuesja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të dokumentacionit përkatës administrativ, u evidentua një rrethanë me rëndësi të drejtpërdrejtë për mënyrën e trajtimit institucional të kërkesës sonë lidhur me konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të z. Ols Dado dhe deklarimin e përfundimit të statusit të tij si magjistrat.
Konkretisht, nga dokumentacioni i administruar në gjykim nuk rezulton që kjo kërkesë të jetë marrë në shqyrtim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ kolegjial kushtetues.
Përkundrazi, rezulton se lidhur me këtë kërkesë ka vepruar vetëm nënkryetari i KLP-së, z. Erind Gërmenji, i cili me shkresën nr. 413/3 prot., datë 11.03.2025, na ka informuar se “KLP shqyrtoi kërkesën tonë” për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të z. Ols Dado dhe për deklarimin e përfundimit të statusit të tij si magjistrat”
Në dokument thuhet se gjatë gjykimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë është konstatuar se nuk ekziston një vendimmarrje kolegjiale e KLP-së për këtë çështje.
Sipas kërkesës, shkresa nr. 413/3 prot., datë 11.03.2025, e firmosur nga Erind Gërmenji, ku thuhet se “KLP shqyrtoi kërkesën”, nuk përputhet me realitetin procedural.
Veliaj pretendon se në praktikë kërkesa është trajtuar personalisht nga nënkryetari i KLP-së dhe jo nga vetë institucioni si organ kolegjial, siç parashikon ligji.
Në fund të kërkesës, Veliaj u kërkon anëtarëve të KLP-së të informojnë nëse kanë qenë në dijeni që nënkryetari Erind Gërmenji “ka marrë personalisht në shqyrtim dhe ka vendosur lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të Ols Dados”.
“Ndodhur në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj të na informoni nëse keni qenë në dijeni të faktit se z. Gërmenji ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur personalisht lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të z. Ols Dado, për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore për emërimin e tij, duke i hequr kompetencën Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë një vendim kolegjial mbi kërkesën tonë.”
Për të lexuar kërkesën e plotë kliko Këtu