Vendosni fjalën kyçe....

Seanca për Veliajn në Gjykatën Administrative, avokati Ndreca kërkon transmetim live



Në seancën e zhvilluar në Gjykatën Administrative për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, avokati Plarent Ndreca kërkoi që procesi gjyqësor të transmetohet live.

Kërkesa u bë pasi gjyqtari Hazbi Balliu vendosi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave, ndërsa në sallë do të lejohen vetëm gazetarët.

Gjatë fjalës së tij, Ndreca argumentoi se publiciteti i seancës është një parim kushtetues që nuk duhet të kufizohet pa arsye të forta ligjore.

“Nuk jemi në kushtet për të vënë në vlerësim këtë fakt, të drejtën e çdo qytetari për të qenë në një seancë gjyqësore. Parimi kushtetues i publicitetit të seancës është parim që nuk mund të ndalohet vetëm kur cenohet integriteti i një personi, i sallës apo i zhvillimit të procesit gjyqësor”, deklaroi ai.

Sipas avokatit, Kushtetuta garanton gjithashtu lirinë e medias dhe të drejtën për të ushtruar aktivitetin informues pa kufizime të pajustifikuara.

Pas kërkesës së paraqitur nga mbrojtja, trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendim lidhur me transmetimin e seancës.