Vendosni fjalën kyçe....

PS propozon ndryshime në Kodin Rrugor, rriten penalitetet për shkeljet në timon



Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një paketë amendamentesh për ndryshimin e Kodit Rrugor të Shqipërisë, me synimin për të rritur sigurinë në rrugë dhe për të ashpërsuar ndëshkimet ndaj shkelësve.

Sipas propozimeve, drejtimi i automjetit pa leje drejtimi do të sjellë shtyrje me një vit të së drejtës për të marrë patentë, ndërsa për të miturit ky afat do të shtyhet me dy vite nga momenti kur plotësojnë moshën ligjore.

Për shoferët e rinj, parashikohen rregulla më strikte në vitin e parë të drejtimit, përfshirë ndalim të alkoolit në timon, kufizim shpejtësie dhe masa ndëshkuese më të rënda në rast shkeljesh.

Ndryshimet kryesore të propozuara përfshijnë:

  • Drejtimi pa patentë: shtyrje 1-vjeçare për pajisje me leje drejtimi, përveç ndëshkimeve penale ekzistuese
  • Të miturit: marrja e patentës shtyhet me 2 vite pas plotësimit të moshës
  • Shoferët e rinj: tolerancë zero ndaj alkoolit në vitin e parë të drejtimit
  • Kufizim shpejtësie: 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h jashtë qendrave të banuara, me gjoba dhe pezullim patente deri në 1 muaj
  • Drejtimi natën: shoferët me deri 2 vite eksperiencë nuk lejohen të ngasin nga ora 00:00–06:00 pa shoqërues me eksperiencë
  • Regjim prove: nëse nuk kryhen shkelje për 1 vit, kufizimet hiqen; nëse bëhen dy shkelje, periudha e provës zgjatet
  • Ndalim i përdorimit të celularit për biçikleta dhe motorë elektrikë
  • Alkooli mbi 0.5 g/l në gjak për përsëritësit sjell heqje të përhershme të patentës

Paketa synon forcimin e disiplinës rrugore dhe uljen e aksidenteve, duke vendosur rregulla më të rrepta sidomos për drejtuesit e rinj dhe shkelësit e përsëritur.