Vendosni fjalën kyçe....

OVL-UÇK: Shtyrja e vendimit në Hagë, goditje e rëndë ndaj drejtësisë


Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj shtyrjes së vendimit për ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar atë si goditje ndaj drejtësisë dhe të drejtave themelore.

Në reagim theksohet se zgjatja e paraburgimit për rreth gjashtë vite pa një vendim përfundimtar përbën, sipas tyre, “dënim pa aktgjykim” dhe cenon besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron shtyrjen e vendimit për ish udhëheqësit e UÇK-së në Hagë si një tjetër goditje të rëndë ndaj drejtësisë dhe të drejtave themelore njerëzore.

Gati gjashtë vjet paraburgim pa një vendim përfundimtar nuk është procedurë. Është dënim pa aktgjykim. Asnjë gjykatë e financuar në emër të demokracisë nuk mund të normalizojë një trajtim të tillë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e të cilëve i hapi rrugën lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Vonesa thellon një padrejtësi të papranueshme dhe gërryen besueshmërinë e çdo institucioni që pretendon se mbron sundimin e ligjit. Dinjiteti i të akuzuarve, i familjeve të tyre dhe i popullit të cilit i shërbyen, nuk mund të mbahet peng i shtyrjeve të pafundme.

Kërkojmë që shtetet demokratike që financojnë dhe mbështesin këtë gjykatë të veprojnë menjëherë. Nuk duhet të lejojnë shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të atyre burrave që vendin nuk e kanë atje, por pranë familjeve dhe popullit të tyre.”