
Katari ka njoftuar një paketë të re masash mbështetëse për bizneset që operojnë në vend, në një përpjekje për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe besimin e investitorëve, përcjell Euronews.
Nisma është lançuar përmes Invest Qatar dhe parashikon mbështetje financiare deri në 40% të kostove të pranueshme të investimeve, duke përfshirë shpenzimet për krijimin, operimin dhe zgjerimin e bizneseve.
Përveç mbështetjes financiare, autoritetet kanë njoftuar edhe lehtësira rregullatore dhe administrative, me qëllim thjeshtimin e procedurave për kompanitë. Gjithashtu, do të ofrohet asistencë këshilluese dhe operative për të ndihmuar bizneset në menaxhimin e aktiviteteve të tyre.
Sipas zyrtarëve, paketa synon të lehtësojë presionet mbi bizneset dhe të garantojë vazhdimësinë e aktivitetit në një periudhë pasigurie ekonomike.
Kryetari i Invest Qatar dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Faisal bin Thani Al Thani, deklaroi se vendi do të vijojë të ndërmarrë hapa për të mbështetur kompanitë dhe për të forcuar klimën e investimeve.
Masat janë pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin e sektorëve si industria e avancuar, logjistika, teknologjia dhe shërbimet financiare.
Ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar për një ngadalësim të ekonomisë së Katarit, duke parashikuar një tkurrje prej 8.6%, përpara një rikuperimi të mundshëm në vitet në vijim.