Shqipëria ka nënshkruar Memorandumin për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe një marrëveshje kuadër prej 6 miliardë dollarësh për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve energjetike dhe forcimit të pavarësisë në këtë sektor, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në koordinim me Greqinë.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte e pranishme ambasadorja e SHBA në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e cila theksoi rëndësinë e dy marrëveshjeve, duke vlerësuar rolin në rritje të Shqipërisë në rajon.
“Ka dy marrëveshje shumë të rëndësishme që po nënshkruhen sot, që është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, që tregon se Shqipëria po luan gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në sektorin energjetik siguria dhe begatia shkojnë krah për krah”, u shpreh ajo, duke shtuar se projekti për zhvillimin e një qendre energjetike, përfshirë impiantin e gazit, dëshmon fokusin e qeverisë shqiptare tek energjia e qëndrueshme.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se marrëveshja pritet të sjellë investime të mëdha dhe teknologji moderne në vend, duke e kthyer Vlora në një pikë kyçe për energjinë në Europën Juglindore.
“Kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjellë më pas një investim shumë të madh, teknologji moderne dhe marrëveshje për furnizime. Pra, Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore”, u shpreh Rama.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, veçanërisht në fushën e furnizimit dhe prodhimit të energjisë, si dhe në rritjen e qëndrueshmërisë dhe pavarësisë energjetike.
Sipas kryeministrit, pozicionimi i Shqipërisë si një ndërlidhës energjetik në rajon do të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe në sigurinë energjetike të vendeve fqinje.
“Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve”, theksoi Rama.
