Evropa është detyruar të paguajë 27 miliardë euro më shumë për importet e naftës dhe gazit që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, von der Leyen tha se Evropa po përjeton krizën e saj të dytë serioze energjetike në katër vitet e fundit dhe se shtetet anëtare të BE-së duhet të nxjerrin mësime nga kjo.
“Në vitin 2022, (Presidenti rus) Putin ndërpreu furnizimin tonë me gaz, dhe tani është Ngushtica e Hormuzit”, u tha ajo gazetarëve, duke shtuar: “Varësia jonë e madhe nga lëndët djegëse fosile të importuara na bën të cenueshëm. Ne duhet ta reduktojmë këtë varësi”.
Von der Leyen tha se vendet evropiane duhet të zgjerojnë prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe të eksplorojnë inovacionin bërthamor, përfshirë reaktorët e vegjël modularë, për të siguruar energji të besueshme.
“Çdo kilovat-orë energjie e prodhuar këtu kontribuon në stabilitetin ekonomik, energji të përballueshme dhe kështu në pavarësinë e Evropës”, shtoi ajo.
