Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për gjyq live, akuza: Po tentohet zvarritja e procesit


Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk u transmetua live, pasi kërkesa e tij u rrëzua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Gjyqtarja Engjëllushe Tahiri argumentoi vendimin me faktin se dy prej të pandehurve, Elman Abule dhe Adela Kondakçiu, nuk dhanë pëlqimin për transmetimin e seancës. Vetë Veliaj mungoi në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Ndreca këmbënguli se transmetimi live ishte i domosdoshëm për transparencë, duke theksuar se qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të informohen për akuzat ndaj kryebashkiakut.

“Është bazike që qytetarët të dëgjojnë çfarë ka prokuroria për të zgjedhurin e tyre”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh se institucioni që përfaqëson nuk është kundër transmetimit live, por theksoi se një praktikë e tillë cenon procesin hetimor, sidomos në rastet kur ka dëshmitarë dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë.

“Dëshmitarët nuk mund të ekspozohen. Kjo nuk ndodh as në vendet e rajonit, as në BE dhe as në SHBA”, u shpreh Dumani.

Gjatë seancës pati debate të forta mes palëve. Avokati Ndreca kërkoi që Veliaj të mos qëndrojë në kafaz gjatë gjykimit, si dhe të vihen në dispozicion të mbrojtjes prova digjitale që, sipas tij, ndodhen në të paktën 35 fashikuj dhe nuk janë analizuar më parë. Ai kërkoi gjithashtu që të gjithë fashikujt hetimorë të dixhitalizohen.

Të gjitha këto kërkesa u rrëzuan nga gjykata.

Prokuroria i cilësoi këto kërkesa si përpjekje për të zvarritur procesin. Dumani deklaroi se prej dy muajsh, mbrojtja ka paraqitur kërkesa të përsëritura dhe artificiale me qëllim shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor.

Ndreca e kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se synimi i mbrojtjes është garantimi i një procesi të rregullt ligjor dhe jo zvarritja e tij. Ai shtoi se vetë Veliaj, si i vetmi i paraburgosur në këtë çështje, ka interes që procesi të përfundojë sa më shpejt.

Në debat ndërhyri edhe prokurori Ols Dado, i cili kundërshtoi kërkesën për heqjen e “kafazit”, duke deklaruar se kushtet në GJKKO janë shumë të mira, “si në një hotel me 5 yje”, koment që u pasua me tërheqje vëmendjeje nga gjykata.

Ndërkohë, çështja ndaj Veliajt është ndarë në dy procese, ndërsa për shtatë të pandehur të tjerë është pranuar gjykimi i shkurtuar.