Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Mbrojtjes së Malit vritet në një sulm vetëvrasës, vendi goditet nga valë sulmesh të koordinuara


Ministri i Mbrojtjes së Malit, Sadio Camara, është vrarë në një sulm të dyshuar vetëvrasës me kamion-bombë që shënjestroi rezidencën e tij pranë kryeqytetit Bamako.

Lajmi u raportua fillimisht nga media të ndryshme dhe u konfirmua më vonë nga televizioni shtetëror. Sipas burimeve të cituara nga familjarët dhe mediat franceze, sulmi ndodhi në zonën e Kati-t dhe përveç Camara-s, humbën jetën edhe të paktën tre anëtarë të familjes së tij.

Ngjarja vjen në kuadër të një vale sulmesh të koordinuara nga grupe xhihadiste dhe separatistë në të gjithë Mali. 

Raportohet se militantë të lidhur me rrjetin al-Qaeda kanë qenë pas sulmit, ndërsa grupi xhihadist Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin ka ndërmarrë sulme të njëkohshme në disa zona të vendit.

Ndërkohë, edhe kreu i juntës ushtarake, gjenerali Assimi Goïta, është zhvendosur në një vend të sigurt pasi rezidenca e tij u bë gjithashtu objektiv sulmi.

Përleshje të ashpra janë raportuar në disa qytete, përfshirë Kidal, Gao, si dhe në zonat qendrore si Mopti dhe Sevaré. Në veri, grupi separatist Azawad Liberation Front pretendon se ka marrë kontrollin e qytetit Kidal, ndonëse kjo nuk është konfirmuar nga ushtria.

Sipas ekspertëve, kjo konsiderohet si një nga sulmet më të mëdha të koordinuara në vend në vitet e fundit.

“Duket si sulmi më i madh xhihadist i koordinuar në Mali prej vitesh”, deklaroi një analist i rajonit për BBC.

Autoritetet kanë njoftuar se të paktën 16 persona janë plagosur, ndërsa disa militantë janë vrarë. Ushtria deklaron se situata është “nën kontroll”, megjithëse luftimet vijojnë në disa zona.

Në përgjigje të përshkallëzimit të dhunës, është shpallur alarm kombëtar, janë shtuar patrullimet dhe janë forcuar pikat e kontrollit. Në Bamako është vendosur shtetrrethim gjatë natës.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara,, António Guterres, dënoi sulmet, duke shprehur solidaritet me popullin malian. Reagime të ngjashme erdhën edhe nga ECOWAS dhe Bashkimi Afrikan.

Mali vijon të përballet prej vitesh me një krizë të thellë sigurie, ku rebelimi i tuaregëve në veri është ndërthurur me aktivitetin e grupeve islamiste të lidhura me organizata terroriste ndërkombëtare.