
Nënkryetari i PD-së Belind Këlliçi i kërkoi ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha që të japë dorëheqjen duke e akuzuar këtë të fundit për fyerjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në një mesazh në një grup WhatsApp.
Deputeti demokrat shkruan se incidenti i paprecedentë nuk mund të kalohet duke fshirë mesazhin dhe as duke nisur gjuetinë e shtrigave për të gjetur kush ka nxjerrë mesazhin.
Këlliçi shkruan se dorëheqja e Hoxhës është e vetmja mënyrë për të shpëtuar dinjitetin e institucionit.
“Ferit, nuk kalohet ky incident i rëndë, kjo shkelje e paprecedentë e etikës duke fshirë mesazhin, ku ke fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe duke gënjyer me zëdhënës për media. Gjurmët e tua janë aty, tek grupi “Ambasadorët”. Jo vetëm e ke bërë atë koment poshtërues, por tani ke nisur gjuetinë e shtrigave për të gjetur personin që nxori mesazhin. Nuk e mbulon dot skandalin me mashtrim!
Jep dorëheqjen, është e vetmja mënyrë që të shpëtosh dinjitetin e Institucionit që drejton dhe të korrigjosh dëmin që ke shkaktuar në diplomacinë e Shqipërisë. Çdo orë, çdo ditë më shumë e jotja në krye të Ministrisë së Jashtme është një turp për të gjithë ne.” – shkruan Këlliçi.

